Formimi i institucioneve, Kurti fton në takim PDK-në, LDK-në dhe AAK-në
Kryeministri në detyrë dhe kreu i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti, ka ndërmarrë një hap të ri për nisjen e bisedimeve politike për krijimin e institucioneve të reja pas zgjedhjeve të 7 qershorit. Ai ka ftuar në takim drejtuesit e tri partive kryesore opozitare: kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamzën, kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhikun, si dhe kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ardian Gjinin.
Ftesa për takimin është konfirmuar nga zëdhënësi i Qeverisë në detyrë, Arlind Manxhuka, i cili bëri të ditur se letrat u janë dërguar tre liderëve politikë gjatë mëngjesit.
“Po, sot në mëngjes Kryeministri Kurti ka dërguar letër për takim tre kryetarëve, të PDK-së, LDK-së dhe AAK-së”, ka deklaruar Manxhuka.
Takimi i propozuar nga Kurti vjen në një moment të rëndësishëm institucional, pasi ka nisur zyrtarisht afati kushtetues për konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Deputetët e rinj të legjislaturës së njëmbëdhjetë kanë afat deri më 7 gusht për të përmbyllur procesin e konstituimit të Kuvendit.
Sipas rezultatit të zgjedhjeve të 7 qershorit, Lëvizja Vetëvendosje ka dalë forcë e parë politike me 53 mandate në Kuvend. Pas saj renditen PDK me 22 mandate, LDK me 18 mandate dhe AAK me 7 mandate.
Për sa i përket krijimit të qeverisë së re, LVV ka deklaruar se ka siguruar mbështetjen e nevojshme për arritjen e shumicës parlamentare prej 61 votash. Kjo llogaritje përfshin edhe votat e deputetëve të komuniteteve joshumicë, ndërsa nuk përfshin deputetët e Listës Serbe.
Megjithatë, një tjetër sfidë politike pritet të jetë zgjedhja e presidentit të Kosovës, proces që kërkon një marrëveshje më të gjerë mes forcave politike. Për zgjedhjen e kreut të shtetit nevojiten së paku 80 vota në Kuvend, duke bërë të domosdoshme mbështetjen ose pjesëmarrjen e një prej subjekteve më të mëdha opozitare, si PDK-ja ose LDK-ja.
Sipas dispozitave kushtetuese, presidenti i Kosovës duhet të zgjidhet brenda një afati prej 60 ditësh nga momenti i konstituimit të Kuvendit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



