Fotografi në GJKKO: Nuk kisha dijeni për lidhjen e Trejsi Sejdinit
“Princi Damian” i financoi qëndrimin në SHBA”
Në procesin gjyqësor ndaj Leonard Dukës dhe Dritan Bardhit ka dëshmuar edhe Klevin Halili, i cili deklaroi para gjykatës se nuk ka pasur asnjëherë njohje personale me Dukën.
Gjatë dëshmisë së tij, Halili foli edhe për marrëdhënien shoqërore dhe bashkëpunimin me modelen Trejsi Sejdini. Ai tregoi se në fillim të vitit 2020 kishte udhëtuar me të drejt Shteteve të Bashkuara, ku kishin planifikuar të qëndronin për rreth një muaj për të vizituar New York.
Sipas tij, qëndrimi në SHBA u zgjat për shkak të shpërthimit të pandemisë së COVID-19. Halili shpjegoi se gjatë asaj periudhe Sejdini kishte marrë një shtëpi me qira nëpërmjet platformave të qëndrimit afatshkurtër, ndërsa vetë ai kishte jetuar te motra e tij.
“Nuk kam dëgjuar asnjëherë për Leonard Dukën. Trejsi Sejdinin e njoh dhe kemi shoqëri, por edhe bashkëpunim profesional. Kemi bërë pushime jashtë shtetit dhe kemi realizuar sete fotografike. Qëllimi i udhëtimit në Amerikë ishte për qejf, për të vizituar New York-un. Ngecëm atje sepse shpërtheu pandemia”, deklaroi Halili.
Ai theksoi se nuk kishte dijeni për ndonjë lidhje sentimentale që Sejdini mund të kishte pasur në atë periudhë, ndërsa shtoi se për raportin mes saj dhe Dukës kishte mësuar vetëm nga mediat.
Halili u ndal edhe te mënyra se si Sejdini siguronte të ardhura gjatë qëndrimit në SHBA. Sipas tij, ajo tërhiqte herë pas here para të dërguara nga Shqipëria përmes pikave të transfertave të parave, ndërsa në disa raste ai kishte kryer tërheqjen në emër të saj.
“Në 4–5 raste kam tërhequr para për Trejsi Sejdinin. Ti paraqitesh me një kod dhe merr dërgesën. Nuk më ka interesuar kush i ka dërguar paratë. Shumat varionin rreth 600 deri në 1000 dollarë. Ajo kishte punë dhe photoshooting, ndaj më kërkonte ndonjëherë t’i tërhiqja unë”, u shpreh ai.
Halili shtoi se nuk kishte dijeni nëse paratë që i dërgoheshin Sejdinit kishin lidhje me aktivitet kriminal dhe se për lidhjen e mundshme mes saj dhe Dukës kishte marrë informacion vetëm përmes raportimeve në media.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



