Futbolli shqiptar në zi, ndërron jetë legjenda e Sopotit, Besnik Çota
Futbolli shqiptar është në zi. Besnik Çota, një nga figurat më të rëndësishme në historinë e KF Sopotit, është ndarë nga jeta në moshën 56-vjeçare, pas një beteje të gjatë me një sëmundje të rëndë.
Ish-kapiteni dhe më pas trajneri i skuadrës nga Librazhdi mbylli sytë në një spital në Tiranë, ku po merrte trajtim prej kohësh. Gjendja e tij shëndetësore ishte përkeqësuar ndjeshëm, ndërsa prej një periudhe të gjatë ai i ishte nënshtruar edhe dializës.
Çota konsiderohej si një nga lojtarët më të spikatur që ka veshur fanellën e Sopotit. Në vitet ’90 ai ishte shtylla e mesfushës dhe lideri i skuadrës, duke mbajtur shiritin e kapitenit për rreth 12 vite dhe duke lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e klubit.
Pas mbylljes së karrierës si futbollist, ai vijoi të kontribuojë për ekipin si trajner, duke punuar me ekipet zinxhir dhe më pas me skuadrën e parë, duke përcjellë përvojën dhe pasionin e tij tek brezat e rinj.
Lajmi për ndarjen nga jeta të Besnik Çotës ka tronditur komunitetin sportiv dhe qytetin e Librazhdit. Reagimet e shumta kanë vlerësuar figurën e tij si sportist dhe si njeri, ndërsa KF Sopoti, në një mesazh lamtumire, e cilësoi atë si një nga personalitetet që i dha më shumë klubit ndër vite.
Klubi thekson se kontributi i tij do të mbetet i paharruar, ndërsa kujtimi i Besnik Çotës do të jetojë përherë në zemrat e tifozëve dhe në historinë e futbollit lokal.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



