Gati 2 padi/Bardhi: DAP nuk ka autoritet për urdhrat e ministrit
Përplasja në qeveri
Bardhi shprehet se DAP nuk ka autoritetin për të kontrolluar apo verifikuar urdhrat e Ministrisë së Drejtësisë, ndërsa bën të ditur se Sekretarja e Përgjithshme Juliana Hoxha është e pezulluar nga vendi i saj i punës.
Ai bën të ditur se ka bërë gati dy padi për DAP dhe Juliana Hoxhën.
Më poshtë reagim i plotë i Ministrisë së Drejtësisë:
Ministria e Drejtësisë nuk ka marrë zyrtarisht dhe nuk pret asnjë vendimmarrje nga Departamenti i Administratës Publike, i cili nuk ka asnjë autoritet për të kontrolluar dhe verifikuar urdhrat e Ministrit të Drejtësisë.
Ministri i Drejtësisë ka pritur në përputhje me ligjin, përgjigje nga Departamenti i Administratës Publike, deri në momentin e hyrjes në fuqi të vendimit nr. 437/2017 të Këshillit të Ministrave, i
cili ngarkon titullarin e ministrisë për të marrë masat e pezullimit ndaj nëpunësve civilë që janë kandidatë në zgjedhje. Departamenti i Administratës Publike është në lirinë e tij të plotë të mbështesë paligjshmërinë në administratën publike, duke lejuar procedurat fiktive dhe të falsifikuara të kryera nga nëpunës civil.
Për këtë përgjegjësia është individuale dhe vetëm e këtij institucioni. Por kjo sjellje në kundërshtim flagrant me ligjin, nuk pengon Ministrin e Drejtësisë të marrë masat e nevojshme në përputhje me Kushtetutën, ligjin për nëpunësin civil dhe Kodin Zgjedhor. Në përputhje të plotë me kuadrin ligjor në fuqi, me urdhrin nr. 3817, datë 08.06.2017, Ministri i Drejtësisë ka urdhëruar pezullimin nga detyra të Sekretarit tëPërgjithshëm të Ministrisë së Drejtësisë.
Ky urdhër është në fuqi dhe çdo palë e interesuar mund ta ankimojë në rrugë gjyqësore. Ministria e Drejtësisë rikonfirmon që Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Drejtësisë vijon të jetë ligjërisht i pezulluar nga detyra dhe nuk është kthyer dhe nuk mund të kthehet në detyrë, derisa të ketë rënë shkaku ligjor i pezullimit.
Gjithashtu, bëjmë me dije se për shkak të shkeljeve flagrante të ligjit,Ministri i Drejtësisë ka nisur procedurat e lirimit nga detyra të Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Drejtësisë, si dhe po përgatit kallzim penal ndaj Drejtoreshës së Departamentit të Administratës Publike dhe znj.Juliana Hoxha.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



