Gazetari Almer Toska në një postim në Facebook thekson se më 15 shtator 2025, Ermal Beqiri, pronar i kompanive “Soft & Solution” dhe “Horizon”, është paraqitur për herë të parë fizikisht në SPAK, pas një serie kontrollesh të befasishme në zyrat e tij në Tiranë.
Ai shkruan se Beqiri është marrë në pyetje nga agjentët e BKH-së në një seancë që zgjati disa orë, dhe kjo nuk ishte një vizitë formale. Sipas gazetarit, dokumentet e sekuestruara në zyrat e tij kanë potencial të hapin një kapitull të ri akuzash, duke prekur skemën e shpërndarjes së tenderëve të AKSHI-t gjatë viteve të fundit.
Almer Toska thekson se SPAK nuk po përballet vetëm me një individ, por me dy dekada monopol dhe lidhje të forta politike në sektorin e digjitalizimit dhe tenderëve të teknologjisë së informacionit. Vetëm pesë vitet e fundit, kompania “Soft & Solution” ka përfituar 23 milionë euro, duke ngritur dyshime për kapje të sektorit.
Gazetari shton gjithashtu se pak ditë më parë është thirrur edhe drejtoresha e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, duke konfirmuar se SPAK po shtrin hetimin në thelbin e sistemit të tenderëve dhe digjitalizimit të shtetit.
Në shkrimin e tij, Toska nënvizon se SPAK duhet të hetojë çdo kontratë, të evidentojë çdo konflikt interesi dhe të marrë masa ligjore ndaj çdo personi të përfshirë. Ai thekson se publiku pret përgjegjësi dhe drejtësi, dhe koha e raportimeve formale ka mbaruar – tani është koha për veprime konkrete.
Postimi i plotë:
GATI ARRESTIMI: SPAK NGUSHTON RRETHIN E ERMAL BEQIRIT – DOSJA E TENDERËVE TË AKSHI PO SHPËRTHEN
Në 15 Shtator 2025 në dyert e Institucionit më të rëndësishëm të drejtësisë së re, SPAK, u paraqit një nga personazhet më të përfolur të botës së tenderëve publikë: Ermal Beqiri, pronari i “Soft & Solution” dhe “Horizon”, dy prej kompanive më të mëdha të teknologjisë së informacionit që kanë përthithur miliona euro të parave të shtetit.
Beqiri është marrë në pyetje nga agjentët e BKH-së, në një seancë që zgjati me orë – dhe nuk ishte një vizitë formale. Kjo shënon herën e parë që ai del fizikisht në SPAK, pas kontrolleve të befasishme disa javë më parë në zyrat e tij në Tiranë, ku u sekuestruan dokumente që mund të hapin një kapitull të ri akuzash.
Dokumente që – sipas burimeve – kanë potencial të godasin në zemër skemën e shpërndarjes së tenderëve të AKSHI-t gjatë gjithë këtyre viteve.
Në hetimin e hapur për tenderët publikë të teknologjisë, SPAK nuk po përballet thjesht me një kompani apo një individ – por me dy dekada monopol, klientelizëm dhe lidhje të forta politike.
Beqiri ishte sot para drejtësisë jo si “regjisor”, siç e kanë quajtur shpesh, por si një person që duhet të japë llogari për tenderët ku përfitimet janë dhënë me miliona euro.
Vetëm pak ditë më parë u paraqit edhe drejtoresha e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj. Dyshimet janë të qarta: SPAK ka hyrë tashmë thellë në zemër të sistemit që ka menaxhuar digjitalizimin dhe paratë e IT-së në Shqipëri.
A po hetohen në të njëjtën dosje? A janë pjesë të së njëjtës skemë?
SPAK hesht – por fakti që të dy thirren njëri pas tjetrit tregon se dosja po merr përmasa shumë më të mëdha sesa pritej.
23 MILIONË EURO TENDERË VETËM NË 5 VITE – KU SHKUAN KËTO PARA?
“Soft & Solution” ka përfituar 23 milionë euro në vetëm pesë vite – një nivel dominimi që nuk arrihet kurrë pa mbështetje të fortë brenda institucioneve publike.
Së bashku me ABS të Gerond Meçës, këto kompani kanë çarë rrugën e tenderëve, duke u përballur në KPP në betejë të hapur për dominimin absolut të tregut.
Nëse këto shifra i vendosim pranë dyshimeve të ngritura për vite me radhë, rezultati është i qartë:
ky sektor ka qenë i kapur.
Dhe SPAK duhet ta thyejë këtë kapje.
RRITJA E ÇUDITSHME E IMPERIUMIT TË BEQIRIT
Historia e kompanive të tij ngre pikëpyetje të forta:
• 2021: merr kontrollin e “Soft & Solution”, megjithëse dyshohej se e drejtonte në hije që më herët.
• 2024: zgjeron perandorinë me “R&D Solution”, blerjen e “IT Tirana” për 144 mijë euro dhe blerjen e “Horizon” për 380 mijë euro nga një kompani off-shore.
Administratore në disa prej këtyre shoqërive mbetet i njëjti person, Arjola Koromani – personi që ia shiti kompaninë e parë Beqirit.
Një strukturë që ngjan më shumë me një rrjet të organizuar kontrolli, jo me thjesht biznese të pavarura.
E gjitha kjo ndodh ndërkohë që tenderët publikë vijojnë të rrjedhin drejt kompanive të tij.
KOMPANITË E TIJ JANË NË ZEMËR TË DIGJITALIZIMIT TË SHTETIT – DHE KY ËSHTË PROBLEMI
Tenderët e fituar përfshijnë:
• sisteme jetike të shtetit,
• furnizime me infrastrukturë IT,
• mirëmbajtjen e sistemeve që përdorin miliona qytetarë,
• projekte kyçe të digjitalizimit.
Kur një sektor i tërë është i përqendruar në duart e disa individëve të lidhur ngushtë, çdo dyshim bëhet kërcënim kombëtar.
Dhe çdo sekondë vonesë e SPAK-ut bëhet përgjegjësi morale dhe institucionale.
SPAK – MERRNI MASAT LIGJORE TË PLOTA! PUBLICU NUK MUND TË PRET MË
Hetimet kanë nisur. Dokumentet janë sekuestruar. Personat janë thirrur.
Tani SPAK duhet të:
• hetojë deri në fund çdo procedurë tenderimi,
• sqarojë çdo lidhje të dyshimtë mes kompanive të Beqirit dhe AKSHI-t,
• verifikojë çdo kontratë,
• evidentojë çdo konflikt interesi,
• marrë çdo masë ligjore ndaj kujtdo që rezulton i përfshirë.
Shqiptarët kërkojnë përgjegjësi dhe drejtësi.
Dhe drejtësia kërkon guxim.
Koha e raportimeve formale ka mbaruar.
Koha e konferencave për shtyp ka mbaruar.
Tani është koha e vendimeve.
SPAK duhet të veprojë – pa frikë, pa presion, pa tolerim.