Gati indeksimi vjetor, shtesa për 767 mijë pensionistë!
Zbatimi nga 1 tetori, si do të realizohet rritja dhe kategoritë që përfitojnë
Pas rritjes së pagave në administratë, qeveria pritet të ndërmarrë një nismë për rritjen e pensioneve në tetor. Indeksimi i pritshëm do të jetë në përputhje me inflacionin, por po diskutohet edhe një indeksim i diferencuar që favorizon pensionet më të ulëta. Pensionet e ulëta kanë përfituar pak nga rritjet e mëparshme, dhe ekspertët po shqyrtojnë mundësinë e rritjes së tyre në mënyrë më të drejtë. Hendeku midis pensioneve dhe pagave është zgjeruar vitet e fundit, duke rritur pabarazinë në shoqëri.
Në vitin 2022, pensioni mesatar në qytet ishte sa 44.4% e pagës mesatare neto dhe 35% e pagës bruto. Këto raporte ishin përkatësisht 52% dhe 41% në vitin 2018. Të dhënat tregojnë për një rritje të pabarazisë ndërmjet shtresave të shoqërisë, në këtë rast të pensionistëve dhe personave të punësuar. Me gjasë, hendeku do të zgjerohet gjatë viteve të ardhshme, pasi tregu po sinjalizon rritje më të larta të pagave prej kushteve të reja që ka krijuar mungesa e fuqisë punëtore.
Pas një dekade anemike, pagat kanë nisur të lëvizin, ndonëse jo me ritme të larta. Në fund të vitit 2023, paga mesatare në shkallë vendi ishte 42% më e lartë se para pandemisë, duke u rritur nga 52,380 lekë në 75.025 lekë në fund të 2023. Në të njëjtën periudhë, pensioni mesatar nga niveli 16,256 lekë në vitin 2019 arriti në 17,306 lekë në 6-mujorin e parë të këtij viti, me një zgjerim vetëm 6%. /Gazeta Panorama

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



