Gazment Bardhi tregon përplasjen me Bashën dhe aksionin opozitar
“Qëndroj në pozicionin dhe përgjegjësinë që më kanë ngarkuar kolegët si kryetar i Grupit Parlamentar të PD-së deri ditën që do të kem besimin e shumicës së kolegëve brenda Grupit. E kam thënë, gjej rastin ta përsëris, z.Basha apo kushdo tjetër që ka ambicie për të qenë kryetar i Grupit Parlamentar të PD-së do të duhet të vijë në mbledhjet e Grupit, të sigurojë numrin e nevojshëm të votave.”
“Kryetarja e Kuvendit, në shkelje të rregullores, solli një njoftim privat në seancë plenare… Nënshkruesi, z. Basha, i atij njoftimi privat është thjesht një nga 140 deputetët e Kuvendit të Shqipërisë. Nuk ka asnjë status të veçantë brenda Grupit Parlamentar të PD.”
“Nuk bëhet fjalë këtu për emrin e Gazmend Bardhit, nuk bëhet fjalë këtu kush është kryetari i grupit parlamentar, se si quhet ai. Bëhet fjalë për mënyrën se si mazhoranca kërkon t’i imponojë 50 deputetëve të opozitës se kush do të jetë kryetari i grupit të tyre parlamentar.”
PYETJE: Ju thatë se kryetarin e Grupit Parlamentar nuk e cakton Erion Veliaj, nuk e cakton Edi Rama. Akuza të drejtpërdrejta për Lulzim Bashën këto? Ju keni informacion kur thoni se z. Rama dhe z. Veliaj nuk mundet që të caktojnë se kush do të jetë kreu i Grupit Parlamentar të PD-së? Si i lëshoni këto akuza pa nxjerrë një fakt për publikun?
Bardhi: Së pari, ajo që unë kam sqaruar është ajo që në fakt ndodhi atë ditë në seancë. Kolegu Basha kishte dërguar një shkresë me firmën e tij ku vetëshpallej “kryetar grupi” pa vullnet të anëtarëve të Grupit Parlamentar dhe në vend që kryetarja e Kuvendit këtë njoftim privat t’ia kalonte për trajtim Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, në një absurditet, çështja ishte diskutuar, pasi Grupi Parlamentar i PS-së kishte votuar për kryetarin e tij të grupit, pra kishte votuar për z. Çuçi, kishte diskutuar edhe se kush do të ishte kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike! Pra, çështja e kreut të grupit më të madh opozitar vendosej në grupin më të madh të mazhorancës në parlament! Ishte konsultuar sigurisht me deputetë të caktuar të Partisë Socialiste, të cilët kishin dhënë opinionet e tyre se kush do të ishte kryetar i Grupit Parlamentar të PD-së; njëra prej kolegeve nën ndikimin e Erion Velisë dhe tjetra nën ndikimin e drejtpërdrejtë të Edi Ramës. E kam thënë, nuk do të ndodhë kurrë, nuk mund të pranojë kurrë opozita parlamentare, që kryetarin e saj në Kuvend ta zgjedhë Partia Socialiste apo mazhoranca.
Ju thatë që çfarë vlerësimi ka bërë drejtoria juridike? Unë jam njohur me vlerësimin e drejtorisë juridike të Kuvendit, e cila ka mbajtur qëndrimin korrekt në përputhje me rregulloren që kjo është çështje e grupit parlamentar; do të duhet të ketë një votim në grupin parlamentar për kreun e grupit parlamentar sepse kështu thotë rregullorja e Kuvendit dhe çdo vlerësim, përtej asaj që kanë thënë teknikët, pra administrata e Kuvendit, është një vlerësim politik dhe vlerësimi politik dhe vlerësimi politik pa diskutim është i Edi Ramës që me urdhër politik cakton edhe që kush do të jetë edhe kryetari i grupit parlamentar të opozitës në parlamentar. Ditën kur kjo ndodh nuk mund të ketë as parlamentarizëm dhe në gjykimin tim, Shqipëria ka seriozisht rrezikun përpara për të kaluar nga një demokraci në autokraci. Nuk bëhet fjalë këtu për emrin e Gazmend Bardhit. Pra, nuk bëhet fjalë këtu kush është kryetari i grupit parlamentar, se si quhet ai. Bëhet fjalë për mënyrën se si mazhoranca kërkon t’i imponojë 50 deputetëve të opozitës se kush do të jetë kryetari i grupit të tyre parlamentar. Ky është një absurditet që nuk është dëgjuar në asnjë vend të botës, madje dhe në ato vende që s’janë demokraci, po themi në nivelin e Shqipërisë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



