E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Gener 2 refuzon Gjykatën e Lartë për HEC-et , Përmbarimi paralajmëron gjoba e kallëzim penal
Lajme

Gener 2 refuzon Gjykatën e Lartë për HEC-et , Përmbarimi paralajmëron gjoba e kallëzim penal

TIRANË – Pas vendimit të Gjykatës së Lartë, kompania “Dragobia Energy” dhe “Gener 2”, janë urdhëruar që të zbatojnë vendimin dhe të pezullojnë kontratën e koncensionit për dy hidrocentralet në lumin Valbonë, në të kundërt do të gjobiten dhe do të fillojë ndjekja penale.

Kontrata koncensionare dhe shtesat e saj, duke iu referuar vendimit të Gjykatës së Lartë, datë 21 korrik 2021 do të pezulloheshin deri në një vendim përfundimtar nga gjykata.

Por kompania ka refuzuar urdhrin e gjykatës, duke vijuar prodhimin e energjisë përmes shfrytëzimit të ujit të lumit Valbonë.

Siç duket, edhe në bashkëpunim me kompaninë, përmbaruesi i Tropojës, Eduart Mrishaj ka refuzuar disa herë ekzekutimin e vendimit të gjykatës.

Në shkresën zyrtare të publikuar nga Citizens Channel, përmbaruesja Satbere Shahu  ka urdhëruar institucionet shtetërore dhe kompaninë “Dragobia Energy” dhe “Gener 2”, të zbatojnë vendimin e Gjykatës së Lartë.

 “Mbas kalimit të këtij afati, Zyra e Përmbarimit do të fillojë ekzekutimin e detyrueshëm për debitorin që refuzon ose nuk kryen sipas asaj që ka vendosur vendimi i gjykatës, do të gjobitet deri në 50.000 lekë deri në ekzekutimin e detyrimit si dhe kallëzim për ndjekje penale për pengim të ekzekutimit, në bazë të nenit 320 të Kodit Penal“, – thuhet në shkresën zyrtare.

Mosfunksioni i hallkave ligjzbatuese, siç është në këtë rast roli i përmbaruesit, krijoi një ngërç sa i përket ekzekutimit të vendimit të gjykatës, duke lejuar që punimet të kryhen në shkelje të ligjit.

Sipas ligjit, përmbaruesi mund t’i japë afat kohor deri në 10 ditë kompanisë për te zbatuar vendimin vullnetarisht, por në rast të kundërt i lind e drejta të ndërhyjë, duke përdorur dhe ndihmën e policisë së shtetit.

Ky vendim erdhi pasi përfaqësuesi ligjor i organizatës TOKA iu drejtua me një shkresë Drejtorisë së Përgjithshme të Përmbarimit ku kërkoi ekzekutimin e vendimit të Gjykatës së Lartë sa i përket çështjes së Valbonës.

Si u dhanë lejet e ndërtimit?

Në nëntor të vitit 2007, qeveria “Berisha” miratoi vendimin për ndërtimin e HEC-it në lumin e Valbonës. Fituese ishte firma Dragobia që do të ndërtonte dy projekte të ndërtimit të HEC në pjesën që cilësohet si pjesë e Parkut Kombëtar.

“Dragobia energy” është shoqëri koncesionare e themeluar për zbatimin e kontratës së hidrocentraleve në Luginën e Valbonës. Ajo është 100% në pronësi të “Gener 2” shpk.

Gjithsej leje për ndëtimin  e HEC në luginën e Valbonës, sipas asaj që zbuloi Top Story, ishin tre dy në lumin Valbonës dhe një në lumin Çerem, me një fuqi të instaluar në total 47 Megaëat, ku projektet nisën të zbatoheshin.  Pas vendimit të parë të qeverisë, u lidhën kontratat koncesionare në vitet 2009 dhe në 2013-ën. Këto vendime të dhëna pikërisht në momentin kur vendi po shkonte drejt zgjedhjeve parlamentare.

Në vitin 2007 u miratua leja për ndërtimin e hidrocentralit “Dragobia”, në Valbonë. Shoqëria “Gener 2”, nënshkroi kontratën koncensionare me Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjisë, si autoritet kontraktues.

Më pas një vendim tjetër  parashikonte ndërtimin e 12 HEC-eve të vogla po mbi luginën e Valbonës, duke shkatërruar totalisht këtë pasuri kombëtare. Ky vendim nga kryeministri i asaj kohe lidhej me faktin se Shqipëria do të kthehej në një superfuqi energjetike dhe të rinovueshme në rajonin e Ballkanit.

Të gjitha HEC-et u anuluan nga qeveria Rama, por që mbetën në fuqi vetëm dy prej tyre, për shkak që çështjeve ligjore.

Protesta e banorëve

Që prej vendimit të dhënë nga qeveria për ndërtimin e HEC-eve banorët u ngritën në protestë dhe menjëherë u nisën e firmosën peticione kundër shkatërrimit të pasurisë kombëtare.

Banorët e Tropojës u shprehën asokohe se nuk ishin përfshirë në konsultime publike. Ata u vunë në dijeni të këtyre projekteve, pasi makineritë u shfaqën në terren e paralelisht nisën dhe protestat.

Në proces-verbalin e konsultimit për publikun kryer nga “Dragobi Energy” në vitin 2013, rezultojnë se kanë marrë pjesë 20 banorë dhe kanë shprehur miratimin e tyre për ndërtimin e HEC-eve. Aktivistët akuzuan kompaninë se kanë falsifikuar firmat e pjesëmarrësve dhe pretendojnë se në këto lista figurojnë të pranishëm edhe njerëz të ndarë nga jeta.

Beteja ligjore

Gjykata e Lartë e shqyrtoi çështjen pas kërkesës së paraqitur nga pala paditëse që përbehet nga banorët 27 fshatrave të Bashkisë Tropojë, Shoqata “TOKA” dhe  Shoqata për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Alpeve Shqiptare, të përfaqësuar nga zyra e avokatisë KALO & ASSOCIATES.

Në vitin 2017 e njëjta kërkesë nuk u pranua nga Gjykata Administrative, e cila vendosi për ndërtimin e hidrocentraleve. Ata kërkuan anulimin e dy hidrocentraleve në Luginën e Valbonës, duke listuar argumentet që lidhen me ndërtimin në një park kombëtar të kategorisë së dytë dhe falsifikimin e firmave në dëgjesat publike. Disa muaj më vonë, Gjykata rrëzoi padinë e banorëve dhe organizatës “TOKA”.

Ky vendim u apelua dhe në qershor të vitit 2018 padia u pranua. Gjykata e Apelit urdhëroi pezullimin e punimeve. Në datën 31 korrik 2018, Gjykata e Rrethit Gjyqësor të Tropojës vendosi të rrëzojë vendimin e Gjykatës Administrative të Apelit në Tiranë për pezullimin e punimeve për ndërtimin e HEC-eve në Parkun Kombëtar të Valbonës. Gjykata e Tropojës i dha të drejtën kompanisë koncensionare “Dragobia Energy” të vijojë punimet.

Më pas çështja shkoi në Gjykatën e Lartë, e cila dha vendimin përfundimtar për mos ndërtimin e tre HEC-eve, pezullimin e punimeve, duke zhbërë një padrejtësi ndaj një zone që ishte e mbrojtur me ligj si Park Kombëtar.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.