Gjeorgji/ Osetia Jugore në bisedime për t’iu bashkuar Rusisë

Osetia Jugore, një rajon i cili u shkëput nga Gjeorgjia dhe e quan veten shtet të pavarur, ka biseduar me zyrtarët rusë për mundësinë për t’u bërë pjesë e Rusisë, raportoi të dielën agjencia ruse e lajmeve, RIA.

Rusia e njohu Osetinë Jugore dhe një rajon tjetër të shkëputur, Abkazia, si shtete të pavarura më 2008, pasi trupat ruse nuk e lejuan Gjeorgjinë ta rimarrë kontrollin në këto dy rajone në një luftë pesëditore atë vit.

Por, Perëndimi e akuzoi Rusinë se i aneksoi Osetinë Jugore dhe Abkazian dhe Tbilisi vazhdon të kërkojë që këto dy rajone t’i kthehen.

“Ne po i diskutojmë të gjitha këto çështje në bashkërendim të ngushtë me Rusinë, duke i marrë parasysh marrëdhëniet tona dypalëshe dhe traktatet “, tha Alan Alborov, kryetari i Parlamentit të Osetisë Jugore, duke u përgjigjur në pyetjen nëse ka mundësi që të mbahet referendum për t’u bërë pjesë e Rusisë, sipas RIA-s.

Lideri i Osetisë Jugore, i mbështetur nga Rusia, Alan Gagloev, tha vitin e kaluar se shpreson se ky rajon mund të bëhet pjesë e Rusisë edhe zyrtarisht, tha RIA.

Osetia Jugore u shkëput nga Gjeorgjia pas një lufte më 1991-92, në të cilën vdiqën disa mijëra njerëz. Ajo mban lidhje të ngushta me rajonin fqinj rus, Osetian Veriore.

Gati shumica e popullsisë së Osetisë Jugore e kanë pranuar pasaportën ruse. Ata e përdorin edhe rublën ruse si valutë të veten dhe ekonomia e tyre varet nga Rusia./ Rel

Publikuar nga Publik Media