Gjithçka për Guvernatorin Sejko, që kërkon imunitet!
Nëse logjika është se Guvernatori i Bankës së Shqipërisë duhet të ketë një status më të veçantë se çdo zyrtar tjetër i Republikës, atëherë pse të ndalemi vetëm te imuniteti nga arrestimi?
Le të vazhdojmë deri në fund.
T’i ndërtojmë një rezidencë zyrtare me pamje nga liqeni. T’i rezervojmë një avion privat për çdo udhëtim. T’i vendosim eskortë nga shtëpia deri në zyrë. Të ketë edhe një vizitë në javë nga “eskortat” e Tiranës. Të mbyllet rruga sa herë kalon Guve Sejko. Të mos presë kurrë në aeroport, në sportel apo në kontrollin e sigurisë. Të ketë hyrje të veçantë kudo.
Pse jo edhe një ishull të vogël në Ksamil, ku të pushojë larg zhurmës së njerëzve të zakonshëm? Një jaht shtetëror për fundjavat. Një kuzhinier personal. Një somelier. Një dhomë relaksi me piano, bibliotekë, një fallxhore dhe puro kubane.
Nëse qytetarët presin me muaj për një vizitë mjekësore, guvernatori mund të ketë një ekip mjekësh që e ndjek 24 orë në ditë. Nëse qytetarët paguajnë kredi me interesa, ndoshta guvernatori meriton edhe kredi pa interes. Madje, pse jo, as kredi fare. Paratë mund t’i presë vetë.
Le t’i japim edhe një korsi të dedikuar në autostradë.
Dhe, për të mos mbetur përgjysmë, le të miratojmë edhe një ligj që kritikat ndaj guvernatorit të konsiderohen cenim i stabilitetit financiar.
Në fund të fundit, qytetarët e zakonshëm mund të arrestohen, hetohen, kontrollohen dhe gjykohen sipas procedurave normale. Madje, le të zhvaten edhe nga institucionet e mikrokredive rrjepëse, për të cilat, sipas kritikëve, Banka e Shqipërisë nuk ka reaguar me forcën e duhur.
Për ta nuk ka Gjykatë Kushtetuese si portë hyrëse. Nuk ka filtra. Nuk ka privilegje.
Kështu do të kishim me ligj dy Shqipëri.
Njëra, ku ligji zbatohet menjëherë.
Dhe tjetra, ku ligji duhet më parë të marrë leje për të trokitur.
Ky nuk është më debat për një person apo për një institucion. Është debat për parimin themelor të shtetit të së drejtës.
Sepse privilegji i fundit që duhet t’i jepet një zyrtari është e drejta për të qenë më pak i përgjegjshëm se qytetari që paguan taksat dhe financon institucionin që ai drejton.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



