GJKKO liron ish-ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj ‘kthehet’ në shtëpi
Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, është liruar nga burgu pas rreth dy vitesh në paraburgim dhe do ta vijojë masën e sigurisë në “arrest në shtëpi”. Vendimi është marrë nga gjykata pas shqyrtimit të kërkesës së mbrojtjes, e cila argumentoi se afatet e qëndrimit në paraburgim ishin tejkaluar.
Sipas informacioneve të bëra publike, Beqaj ndodhej në masën “arrest në burg” në kuadër të hetimeve për dosjen e njohur si SASPAC. Me vendimin e fundit, ai kalon në një masë më të lehtë sigurie, duke qëndruar në banesë nën mbikëqyrje.
Avokati i tij, Ermal Yzeiraj, në një deklaratë për mediat, bëri me dije se kërkesa kryesore e mbrojtjes kishte qenë shuarja e masës së paraburgimit për shkak të tejkalimit të afateve ligjore.
“Zoti Beqaj sot do të jetë në shtëpi. Kërkesa jonë ishte për shuarjen e afateve të paraburgimit. Vendimin e sotëm nuk do ta apelojmë, as prokuroria. Edhe prokuroria ishte dakord me masën e arrestit në shtëpi. Ne kërkuam shuarjen e afatit dhe, si alternativë, arrestin në shtëpi”, u shpreh ai.
Më tej, Yzeiraj theksoi se ish-ministri e ka pritur pozitivisht vendimin, duke e konsideruar si një lehtësim pas një periudhe të gjatë përballjeje me drejtësinë.
“Beqaj ishte i lehtësuar. Prej dy vitesh është përballur me një proces që, sipas nesh, nuk duhej të kishte marrë këtë rrjedhë. Gjykata ka dhënë një vendim të balancuar, duke i lënë hapësirë prokurorisë të provojë akuzat e saj, të cilat ne vijojmë t’i konsiderojmë të paqarta”, shtoi avokati.
Ndërkohë, pritet që organet përkatëse të procedojnë me ekzekutimin e vendimit të gjykatës, duke bërë të mundur që Beqaj të transferohet në banesë në vijim të masës së re të sigurisë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



