GJKKO mbyll grupin e gazetarëve në WhatsApp
Përplasje për rregulloren e re të medias
Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka ndërprerë një prej kanaleve kryesore të komunikimit me gazetarët që ndjekin aktivitetin e saj. Bëhet fjalë për grupin në WhatsApp ku mediat merrnin njoftime dhe informacione lidhur me seancat gjyqësore të zhvilluara në GJKKO.
Mbyllja e grupit vjen në një moment kur raportimi i medias nga proceset e Gjykatës së Posaçme është përfshirë në një debat për rregullat e reja të aksesit në sallat e gjyqit.
Prej 1 shtatorit ka hyrë në fuqi një rregullore e re për praninë e gazetarëve në proceset gjyqësore. Sipas rregullave të reja, gazetarët që duan të ndjekin seancat duhet të pajisen me një kartë të posaçme akreditimi të lëshuar nga GJKKO.
Ky sistem është kundërshtuar nga gazetarët që mbulojnë në mënyrë të përditshme aktivitetin e gjykatës. Ata kanë vendosur të mos plotësojnë formularët e akreditimit, duke kërkuar që rregullorja të rishikohet.
Një prej problematikave të ngritura lidhet edhe me rastet kur gazetari i akredituar nuk mund të jetë i pranishëm në një seancë. Në një situatë të tillë, nëse redaksia dërgon një gazetar tjetër në vend të tij, ky i fundit nuk përfiton automatikisht nga akreditimi dhe trajtohet si pjesë e publikut.
Për rrjedhojë, gazetari zëvendësues mund të futet në sallën e gjyqit vetëm në rast se ka vende të lira, duke krijuar një kufizim shtesë për organizimin e punës së redaksive që mbulojnë proceset gjyqësore.
Debati nuk lidhet vetëm me procedurën e akreditimit. Rregullorja e re përcakton gjithashtu kufizime për përdorimin e telefonave celularë, pajisjeve regjistruese dhe kamerave brenda sallave të gjyqit.
Këto masa kanë ngritur shqetësime te gazetarët për mundësinë e raportimit në kohë reale, veçanërisht gjatë seancave të çështjeve me interes të lartë publik që zhvillohen në GJKKO.
Në këtë situatë, gazetarët që ndjekin aktivitetin e Gjykatës së Posaçme kanë rënë dakord që, deri në një moment të dytë, të mos plotësojnë formularët e kërkuar për akreditim. Paralelisht, atyre u është kërkuar GJKKO-së të rishikojë rregulloren dhe mënyrën se si është konceptuar aksesi i medias në proceset gjyqësore.
Mbyllja e grupit të WhatsApp-it i shtohet kështu debatit të krijuar rreth marrëdhënies mes gjykatës dhe medias. Grupi shërbente si një kanal i drejtpërdrejtë dhe praktik për përcjelljen e njoftimeve mbi oraret dhe zhvillimin e seancave, duke u përdorur nga gazetarët dhe redaksitë që ndjekin proceset në GJKKO.
Çështja ka tërhequr edhe vëmendjen e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri. Kjo e fundit ka bërë të ditur se është në komunikim me GJKKO-në dhe po zhvillon konsultime edhe me aktorë të tjerë të interesuar lidhur me situatën.
Debati pritet të vijojë në ditët në vazhdim, ndërsa mbetet për t’u parë nëse rregullorja e re do të rishikohet dhe nëse do të gjendet një zgjidhje që garanton njëkohësisht funksionimin e procedurave të gjykatës dhe aksesin e medias në proceset me interes publik.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



