E mërkurë, 14 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Gjykata e Lartë rrëzon burgimin e përjetshëm për Mexhit Picarin, çështja kthehet në Apel
Lajme

Gjykata e Lartë rrëzon burgimin e përjetshëm për Mexhit Picarin, çështja kthehet në Apel

Vrau dhëndrin e tij me armën që e mori në çantën e së bijës

Gjykata e Lartë ka prishur vendimin për dënimin me burgim të përjetshëm ndaj Mexhit Picarit, i shpallur fajtor për vrasjen e dhëndrit të tij, Kudret Saliaj. Si pasojë, çështja do të rikthehet për rigjykim në Gjykatën e Apelit, me një trupë të re gjykuese.

Vendimi i rrëzuar i përket datës 12 korrik 2023, kur Apeli në Tiranë kishte lënë në fuqi dënimin maksimal për Picarin. Rishqyrtimi erdhi pas rekursit të paraqitur nga avokati Adriatik Cama, i cili kërkoi rivlerësim të rolit të ish-bashkëshortes së viktimës në ngjarje.

Në vendimin e mëparshëm, Dhurata Saliaj ishte dënuar me 4 vite e 6 muaj burg për “krijim kushtesh për kryerjen e vrasjes”, ndërsa ishte rrëzuar akuza për bashkëpunim në vrasje.

Ngjarja e rëndë ndodhi në qershor të vitit 2021, në një lokal në zonën e “Vasil Shantos” në Tiranë. Sipas hetimeve, Mexhit Picari, së bashku me vajzën e tij, kishin vëzhguar viktimën për rreth 20 minuta para se të ndodhte krimi. Autori dyshohet se ka marrë armën nga çanta e së bijës dhe më pas ka qëlluar ndaj Kudret Saliaj.

Në momentin e ngjarjes, në tavolinë me viktimën ndodhej edhe avokati Adriatik Cama, i cili mbeti i plagosur, pasi u godit me plumb në pjesën e djathtë të kraharorit.

Dëshmia e një taksisti ka hedhur dritë mbi lëvizjet para krimit. Sipas tij, Dhurata Saliaj kishte zhvilluar një bisedë telefonike me të atin pak para ngjarjes, ku i kishte thënë: “Baba, bëhu gati, ndërrohu, merr rrobat e punës se po vij me taksi”.

Pas kryerjes së vrasjes, babë e bijë janë larguar nga vendi i ngjarjes në drejtime të ndryshme, duke përdorur taksi. Vajza dyshohet se kishte mbuluar kokën me kapuç për të shmangur identifikimin.

Hetimet kanë treguar gjithashtu se Mexhit Picari ka dhënë deklarime të pasakta para autoriteteve. Ai ka pretenduar se viktima e kishte ofenduar, duke e paraqitur këtë si motiv për krimin. Ndërkohë, një ditë para ngjarjes rezulton të ketë pasur një konflikt të ashpër mes viktimës dhe ish-bashkëshortes së tij.

Fillimisht u raportua se në vendngjarje ndodhej edhe djali i ish-çiftit, por kjo u përgënjeshtrua nga pamjet e kamerave të sigurisë. I mituri, i marrë në pyetje nga policia, ka deklaruar se nuk ka qenë i pranishëm dhe ka ngritur akuza për dhunë nga ana e nënës ndaj tij dhe familjarëve të tjerë.

Pamjet filmike konfirmojnë momentin kur Mexhit Picari është ngritur dhe ka qëlluar drejt ish-dhëndrit të tij, duke e lënë të vdekur në vend dhe duke plagosur një person tjetër.

Rasti pritet të rihapet në Apel, ku do të rivlerësohen provat dhe përgjegjësitë penale të të përfshirëve në këtë ngjarje të rëndë kriminale.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.