Gjykata Kushtetuese rrëzon ankesën e familjarëve të Arben Ahmetajt për sekuestrimin e sendeve personale
Gjykata Kushtetuese ka refuzuar shqyrtimin në seancë plenare të ankesës së katër shtetasve të lidhur familjarisht me ish-zëvendëskryeministrin Arben Ahmetaj, të cilëve SPAK u ka sekuestruar telefona, USB, çelësa makinash dhe pajisje kompjuterike. Në vendimin e saj, Gjykata Kushtetuese e konsideron kërkesën të pabazuar.
Ankuesit, Brunilda Mena (motra e Ahmetajt), Flamur dhe Teuta Hoxha (prindërit e bashkëjetueses së Ahmetajt) dhe Eljona Hoxha (kunata e saj), kishin kërkuar shpalljen si antikushtetues të sekuestrimeve, pasi kishin shteruar të gjitha shkallët e tjera të gjyqësorit.
Arsyetimi i Gjykatës Kushtetuese
Sipas vendimit të Gjykatës, prokurorët e SPAK kanë mbështetur sekuestrimin e sendeve në argumentin se ato mund të përmbajnë të dhëna të rëndësishme për hetimet. Në rastin e kunatës së bashkëjetueses së Ahmetajt, Gjykata thekson se ajo ishte e autorizuar nga personi nën hetim për të kryer transaksione bankare në emër të tij, duke ngritur dyshime për transferimin e fondeve në destinacione të ndryshme.
Gjykata Kushtetuese vlerëson se Prokuroria dhe gjykatat e mëparshme kanë ofruar argumente të mjaftueshme dhe bindëse për sekuestrimin e këtyre sendeve. Ndërkohë, një pjesë e sendeve pritet të kthehen pronarëve pas përfundimit të akt-ekspertizës, ndërsa për pjesën tjetër do të bëhet verifikimi i burimit të tyre, duke qenë se hetimi lidhet me akuzën e pastrimit të parave.
Hetimet ndaj Arben Ahmetajt
Ky nuk është rasti i parë kur Gjykata Kushtetuese është angazhuar lidhur me veprimet hetimore kundër Arben Ahmetajt. Më herët, ajo ka rrëzuar kërkesat për shpalljen si të paligjshme të kontrolleve në banesat e tij dhe sekuestrimin e një vile në Palasë. Aktualisht, Ahmetaj është nën hetim nga SPAK për një sërë akuzash që përfshijnë pastrim parash dhe korrupsion.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



