Gjykata Kushtetuese zvarrit çështjen Balluku, vendimi ende ‘në ajër’
Gjykata Kushtetuese është mbledhur ditën e sotme për të shqyrtuar çështjen që lidhet me Belinda Ballukun, por ende nuk ka dalë me një vendim përfundimtar. Mësohet se trupa gjykuese ka vlerësuar se i nevojitet më shumë kohë për analizimin e ankimit të paraqitur nga qeveria.
Ndërkohë, të mërkurën, më 28 janar, pritet të mblidhet Këshilli për Imunitetin dhe Mandatet në Kuvend, i cili do të shqyrtojë kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të deputetes dhe njëkohësisht ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë.
Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion i është drejtuar Kuvendit që më 16 dhjetor, duke kërkuar autorizimin për arrestimin e Ballukut, çka nënkupton më parë heqjen e imunitetit parlamentar dhe më pas marrjen e masave ligjore ndaj saj.
Seanca në Gjykatën Kushtetuese për këtë çështje është zhvilluar më 22 janar, pa praninë e Ballukut. Në këtë proces, qeveria ka kërkuar shfuqizimin e vendimit të Gjykatës së Posaçme për pezullimin e saj nga detyra, ndërsa SPAK ka kundërshtuar këtë kërkesë. Sipas ligjit, vendimi i Kushtetueses duhet të shpallet brenda një afati 30-ditor.
Vendimmarrja e Gjykatës Kushtetuese pritet në një moment delikat, pasi paralelisht SPAK ka depozituar në Kuvend edhe kërkesën për autorizimin e arrestimit të Ballukut. Kjo lëvizje erdhi menjëherë pas vendimit të përkohshëm të Kushtetueses, e cila e riktheu atë në detyrë deri në shqyrtimin përfundimtar të ankimit.
Balluku është e pandehur për shkelje të dyshuara në procedurën e tenderit 190 milionë euro për ndërtimin e Tunelit të Llogarasë, si dhe nën hetim për shtatë procedura të tjera prokurimi që lidhen me projektet e Unazës së Madhe. Sipas SPAK, ekziston rreziku që, duke qenë në detyrë, ajo të ndikojë në prishjen e provave hetimore apo të ushtrojë presion ndaj dëshmitarëve.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



