Gjyqtarët e KPA-së, i ankohen SHBA-së: Kallëzimet dhe procedimet penale ndaj nesh nga subjektet e gjykuara na kanë vendosur nën një presion
Gjyqtarët e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit i ankohen OPDAT-it dhe ambasadës amerikane në Tiranë se janë vendosur nën trysni për shkak të proceseve penale të ngritur ndaj tyre nga subjektet që janë dënuar më parë nga vendimet e këtij kolegji.

Organet e reja të drejtësisë, padisin njëra-tjetrën, duke e parë veten nën presion ndaj një vendimi të pritshëm. Kryetarja e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, Albana Shtylla, përmes një letre i është drejtuar këshilltares së Përhershme Ligjore e Zyrës së OPDAT në ambasadën e Shteteve të Bashkuara Amerikane, Michelle Lakomy, dhe ambasadës amerikane në Tiranë, ku përmend situatën e krijuar pas kallëzimeve të subjekteve, si Luan Daci i dënuar nga ky Kolegj, por dhe një proces i ngritur ndaj gjyqtarit Ardian Hajdari.
“Gjyqtarët e Kolegjit shprehin shqetësimin se kallëzimet dhe procedimet lidhur me to, si edhe mosshqyrtimi apo gjykimi, brenda afateve procedurale, veçanërisht i çështjeve të sipërpërmendura, por jo vetëm, kanë vështirësuar ushtrimin e veprimtarisë gjyqësore të Kolegjit, për më tepër, i ka vendosur ata nën një presion të vazhdueshëm për kryerjen e funksioneve të tyre kushtetuese, duke rrezikuar në këtë mënyrë seriozisht funksionalitetin e Kolegjit, për rrjedhojë dhe të vetë procesit të rivlerësimit”, thuhet në letrën e zonjës Shtylla. Të gjendur nën një trysni deri në përfundimin e këtyre kallëzimeve dhe procedimeve penale ndaj tyre, gjyqtarët e Kolegjit të posaçëm të Apelimit “që gjatë procedurave për trajtimin e këtyre kallëzimeve dhe procedimeve penale nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, apo gjatë gjykimit të tyre në të gjitha shkallët e gjyqësorit, përfshirë edhe Gjykatën e Lartë, të garantohen të drejtat procedurale, zbatimi i afateve procedurale, transparenca në përputhje me parashikimit ligjore, si dhe efikasiteti për kryerjen e një procesi të drejtë dhe të shpejtë, me qëllim që të mos pengohet veprimtaria dhe mos cenohet funksionaliteti i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit dhe i procesit të rivlerësimit”
LETRA E PLOTE
Znj. Michelle Lakomy
Zyra e OPDAT
Ambasada e SHBA, Tiranë
Gjyqtarët e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, prej fillimit të vitit 2020 janë përballur me kallëzime penale të bëra nga ishsubjektet e rivlerësimit, ndaj të cilëve është marrë masa disiplinore e shkarkimit nga detyra.
Për gjyqtar Luan Dacin tashmë ka një vendim të Gjykatës së Posaçme të Apelit kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Gjyqtarët e Kolegjit nëpërmjet kësaj shkrese shprehin shqetësimin për një gjykim të rekursit të paraqitur prej gjyqtar Dacit, brenda afateve të parashikuara në Kodin e Procedurës Penale, si dhe në përputhje me këto dispozita ligjore procedurale dhe parimet e procesit të rregullt ligjor.
Gjyqtar Ardian Hajdari, në muajin korrik të këtij viti, është njoftuar nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) që ndaj tij ka pasur një kallëzim penal, për të cilin kjo prokurori ka regjistruar procedim penal, por pa i atribuuar ende këtij regjistrimi një emër konkret.
Gjyqtarët e Kolegjit shprehin shqetësimin se kallëzimet dhe procedimet lidhur me to, si edhe mosshqyrtimi apo gjykimi, brenda afateve procedurale, veçanërisht i çështjeve të sipërpërmendura, por jo vetëm, kanë vështirësuar ushtrimin e veprimtarisë gjyqësore të Kolegjit për më tepër, i ka vendosur ata nën një presion të vazhdueshëm për kryerjen e funksioneve të tyre kushtetuese, duke rrezikuar në këtë mënyrë seriozisht funksionalitetin e Kolegjit, për rrjedhojë dhe të vetë procesit të rivlerësimit.
Nëpërmjet shprehjes së këtij shqetësimi, kërkojmë të sjellim në vëmendjen tuaj, duke respektuar plotësisht pavarësinë dhe paanësinë në ushtrimin e detyrave dhe vendimmarrjet tuaja, që gjatë procedurave për trajtimin e këtyre kallëzimeve dhe procedimeve penale nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, apo gjatë gjykimit të tyre në të gjitha shkallët e gjyqësorit, përfshirë edhe Gjykatën e Lartë, të garantohen të drejtat procedurale, zbatimi i afateve procedurale, transparenca në përputhje me parashikimit ligjore, si dhe efikasiteti për kryerjen e një procesi të drejtë dhe të shpejtë, me qëllim që të mos pengohet veprimtaria dhe mos cenohet funksionaliteti i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit dhe i procesit të rivlerësimit.
Gjyqtarët e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, të ndërgjegjshëm dhe të përgjegjshëm për respektimin e të gjitha parashikimeve kushtetuese dhe ligjore që lidhen me të drejtat dhe detyrat e tyre, kërkojnë nëpërmjet kësaj shkrese mbajtjen në konsideratë të shqetësimeve të sipërpërmendura, për t’iu përgjigjur së bashku sfidave të zbatimit të Reformës në Drejtësi.
Kryetare
Albana Shtylla
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



