E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Gjyqtarët nuk tërhiqen, bojkotojnë takimin me Ramën
Lajme

Gjyqtarët nuk tërhiqen, bojkotojnë takimin me Ramën

Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë nuk do të marrë pjesë në tryezën e konsultimit të thirrur nga kryeministri Edi Rama për diskutimin e pagave të magjistratëve. Takimi është planifikuar të zhvillohet sot në orën 12:30, në një kohë kur përplasjet institucionale për nivelin e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve janë ende të hapura.

Vendimi për të mos marrë pjesë është bërë publik përmes një deklarate të Bordit Drejtues të UGJSH-së. Në qëndrimin e saj, organizata sqaron se e konsideron dialogun institucional një instrument të rëndësishëm për adresimin e çështjeve me interes për sistemin e drejtësisë, por në rastin konkret vlerëson se konsultimi duhet të presë përfundimin e shqyrtimit nga Gjykata Kushtetuese.

Sipas Unionit, çështja e pagave të magjistratëve ndodhet aktualisht përpara Gjykatës Kushtetuese, pas padisë së depozituar për ndryshimet e fundit ligjore. Për këtë arsye, UGJSH argumenton se çdo diskutim institucional mbi këtë çështje duhet të zhvillohet pasi të jetë qartësuar më parë situata juridike.

Në qëndrimin e tyre, gjyqtarët kërkojnë zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, i cili, sipas tyre, përcakton standardin minimal të pagës dhe një mekanizëm të qëndrueshëm për përcaktimin e saj në të ardhmen.

“UGJSH e konsideron të nevojshme ruajtjen e pacenuar të kufijve të juridiksionit kushtetues të kësaj Gjykate, parimet që garantojnë objektivitetin e paanshmërinë e saj, si dhe parimet që garantojnë funksionimin e një shteti të së drejtës”, thuhet në deklaratën e Bordit Drejtues.

Unioni i Gjyqtarëve sqaron se refuzimi i ftesës nuk duhet të interpretohet si një ndërprerje e dialogut me institucionet. Përkundrazi, UGJSH shprehet se mbetet e hapur për komunikimin institucional, por e lidh vijimin e këtij dialogu me nevojën për të pasur fillimisht një qartësim nga Gjykata Kushtetuese mbi çështjen e pagave.

Tryeza e thirrur nga kryeministri Edi Rama vjen në një moment kur përcaktimi i pagave të magjistratëve është kthyer në një çështje të debatueshme mes institucioneve të drejtësisë dhe ekzekutivit.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.