Gjyqtarja përjashton avokatin dhe ushtron presion mbi qytetarin
Skandali në Gjykatën e Kukësit
Gazetari Bekim Lekica ka publikuar një audio nga Gjykata e Kukësit, ku duket një situatë e tensionuar gjatë zhvillimit të një seance. Në postimin e tij, Lekica pyet:
“Çfarë po ndodh në sallën e gjyqit? A po cënohet figura e avokatit në Kukës?”
Në audion e parë dëgjohet dialogu i ashpër mes gjyqtares dhe avokatit:
-
Gjyqtarja: “Kujt i flet ti me këtë gjuhë?”
-
Avokati: “Çfarë gjuhe mendon ti se po flas unë?”
-
Gjyqtarja: “Oooo Besnik (punonjësi i policisë në gjykatë), nxirr pak avokatin jashtë!”
Gjyqtarja dyshohet se ka kaluar kompetencat e saj, duke përjashtuar avokatin nga salla dhe përdorur një ton denigrues ndaj tij.
Në audion e dytë, gjyqtarja këmbëngul që qytetari të vazhdojë seancën pa avokat, duke ushtruar presion të drejtpërdrejtë mbi të. Audioja tregon se qytetari, i cili ka kërkuar të vazhdojë me avokatin e tij të papaguar, është penguar vazhdimisht, ndërsa gjyqtarja i bën shenja që të mos përdorë avokatin.
Ky veprim krijon një situatë të pabarabartë dhe dyshimtë për mbrojtjen ligjore dhe përbën një shembull të qartë të kufizimit të së drejtës për mbrojtje efektive.
Ngjarja ka ngjallur reagime dhe debat mbi etikën dhe respektin në sallat e gjyqit, duke vënë në qendër rëndësinë e garantimit të të drejtave ligjore të qytetarëve dhe mbrojtjes së avokatëve në ushtrimin e detyrës së tyre.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



