Goditet rrjeti i kokainës në Mykonos, 9 persona në pranga
Një rrjet i dyshuar i trafikut dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike është goditur nga policia greke në ishullin e Mykonosit, ndërsa në pranga kanë rënë 9 persona me shtetësi shqiptare, greke dhe turke.
Sipas autoriteteve greke, grupi dyshohet se përdorte tre kompani të transportit turistik si mbulesë për aktivitetin kriminal. Me furgonët e këtyre kompanive transportoheshin turistë në zona të ndryshme të ishullit, ndërsa në të njëjtën kohë kontaktet me vizitorët shfrytëzoheshin për gjetjen e klientëve për lëndët narkotike.
Kompanitë turistike dyshohet se përdoreshin edhe për pastrimin e parave
Hetuesit dyshojnë se aktiviteti i kompanive nuk shërbente vetëm për të kamufluar trafikun e drogës, por edhe për të justifikuar paratë e përfituara nga shitjet.
Sipas policisë, grupi përdorte pagesa përmes POS, Revolut dhe IRIS, duke i paraqitur transaksionet si pagesa për shërbimet e transportit turistik.
Gjatë operacionit, autoritetet sekuestruan edhe 7 furgonë që ishin në pronësi të personave nën hetim.
Kokainë, metamfetaminë dhe ekstazi
Hetimi nisi në fillim të korrikut, pas informacioneve për një organizatë që dyshohet se trafikonte lëndë narkotike në Atikë dhe Mykonos.
Në fokusin e hetuesve ishte edhe një shtetas i huaj, i identifikuar me pseudonimin “ISA”, telefoni i të cilit ishte vendosur nën përgjim. Nga komunikimet e tij, policia arriti të identifikonte persona të tjerë që dyshohet se ishin pjesë e rrjetit.
Grupi dyshohet se trafikonte kokainë, kokainë rozë, metamfetaminë kristalore, MDMA dhe hashash.
Sipas të dhënave të hetimit, një gram kokainë shitej për 120 deri në 150 euro, ndërsa çmimi i kokainës rozë arrinte deri në 200 euro për gram.
Përdornin kode për lëndët narkotike
Për të shmangur zbulimin nga autoritetet, anëtarët e grupit përdornin fjalë të koduara gjatë komunikimeve telefonike dhe shmangnin përmendjen e drejtpërdrejtë të llojeve të drogës.
Për kokainën rozë përdornin shprehje si “garniturë rozë”, “me ngjyra” apo “recetë sekrete”, ndërsa për kokainën përdornin terma si “klasike”, “vezë” dhe “vajza”.
Policia ka dokumentuar gjithashtu biseda ku personat nën hetim paralajmëronin njëri-tjetrin që të mos flisnin hapur për aktivitetin e tyre.
Bastisjet më 21 gusht
Gjatë kontrolleve të zhvilluara më 21 gusht, autoritetet sekuestruan dhjetëra gramë lëndë narkotike të llojeve të ndryshme, si dhe një shumë të konsiderueshme parash, që sipas hetuesve dyshohet se rrjedhin nga aktiviteti i paligjshëm.
Nëntë personat e arrestuar pritet të dalin para hetuesit të enjten e ardhshme, ku do të japin deklarimet e tyre lidhur me akuzat që rëndojnë ndaj tyre.
Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të aktivitetit të dyshuar kriminal dhe rolit të secilit prej personave të arrestuar.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



