Goditet rrjeti i prostitucionit në Tiranë, 3 kolumbiane dhe 1 spanjoll në pranga
Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin e koduar “Network”, duke goditur disa raste të ushtrimit të prostitucionit në apartamente me qira në zona të ndryshme të kryeqytetit. Gjatë aksionit janë zbuluar tre apartamente ku zhvillohej kjo veprimtari e paligjshme, konkretisht në rrugët “Ibrahim Rugova”, “Hoxha Tahsim” dhe “Myslym Shyri”.
Si rezultat i hetimeve, janë arrestuar tre shtetase kolumbiane, të moshave 21, 25 dhe 35 vjeçe, të cilat dyshohet se ushtronin prostitucion në një apartament të marrë me qira në rrugën “Ibrahim Rugova”. Po ashtu, në pranga ka rënë edhe një shtetas spanjoll 26-vjeçar, i dyshuar si shfrytëzues i tre shtetaseve kolumbiane për këtë aktivitet kriminal.
Ndërkohë, policia ka proceduar penalisht në gjendje të lirë dy shtetase shqiptare, 34 dhe 24 vjeçe, të cilat dyshohet se ushtronin prostitucion në dy apartamente të tjera, njëri në rrugën “Hoxha Tahsim” dhe tjetri në “Myslym Shyri”.
Gjatë kontrollit të ambienteve, uniformat blu sekuestruan një shumë parash, e dyshuar e përfituar nga prostitucioni, si dhe disa telefona celularë, të cilët do të shërbejnë si prova materiale në hetim.
Sipas policisë, operacioni u zhvillua pas një pune intensive të Seksionit për Hetimin e Trafiqeve, bazuar në informacione të siguruara në rrugë operative. Hetimet vijojnë në drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, me qëllim identifikimin dhe ndëshkimin e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Njoftimi i policisë:
Tiranë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Network”.
Zbulohen 3 apartamente me qira, në të cilat ushtrohej prostitucion, në rrugët “Ibrahim Rugova”, “Hoxha Tahsim” dhe “Myslym Shyri”.
Vihen në pranga 3 shtetaset kolumbiane dhe procedohen penalisht 2 shtetaset shqiptare, që ushtronin prostitucionin.
Vihet në pranga 1 shtetas spanjoll që shfrytëzonte 3 shtetaset kolumbiane, për këtë veprimtari kriminale.
Sekuestrohet një shumë parash, e dyshuar e përfituar nga prostitucioni, dhe disa celularë.
Si rezultat i punës intensive të kryer nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve, për evidentimin dhe goditjen e rasteve të prostitucionit, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, u organizua dhe u finalizua operacioni i koduar “Network”, që goditi 3 raste të kësaj veprimtarie kriminale. Në vijim të veprimeve për këto raste u arrestuan:
-shtetaset kolumbiane M. L., 21 vjeçe, V. Y., 25 vjeçe dhe L. D., 35 vjeçe, pasi dyshohet se ushtronin prostitucion në një apartament që e kishin marrë me qira, në rrugën “Ibrahim Rugova”;
-shtetasi spanjoll J. D., 26 vjeç, pasi dyshohet se shfrytëzonte këto shtetase, për këtë veprimtari kriminale.
Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetaset shtetaset V. O., 34 vjeçe dhe S. Sh., 24 vjeçe, pasi ushtronin prostitucion, në dy apartamente që i kishin marrë me qira, njëri në rrugën “Hoxha Tahsim”, tjetri në rrugën “Myslym Shyri”.
Në drejtimin e Prokurorisë, vijon puna për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të shtetasve të tjerë që mund të jenë të përfshirë në këto raste.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



