Goditet rrjeti që trafikonte vajza nga Amerika Latine drejt Shqipërisë
“Shqipëria parajsë”, kolumbiani kërcënonte prostitutat, u merrte peng familjarët nëse iknin
Operacioni “Rrjeti”/ Goditet banda që trafikonte vajza nga Azia dhe Amerika Latine drejt Shqipërisë, 19 masa sigurie, arrestohet organizatori në Kolumbi
Një grup ndërkombëtar i trafikut të qenieve njerëzore, i cili sollte vajza nga Azia Qendrore dhe Amerika Latine për t’i shfrytëzuar në Shqipëri për prostitucion, është shkatërruar pas një operacioni të gjerë policor të koduar “Rrjeti”.
Operacion ndërkombëtar
Sipas Prokurorisë së Tiranës, e cila udhëhoqi hetimet, aksioni u zhvillua në bashkëpunim me Policinë Kombëtare të Kolumbisë, Policinë Kroate, EUROPOL dhe EUROJUST. U lëshuan gjithsej 19 masa sigurie, prej të cilave:
- 9 në Shqipëri (7 arrest me burg, 2 detyrim paraqitje),
- 10 në Kolumbi,
- ndërsa 3 persona të tjerë janë shpallur në kërkim.
Koka e grupit, kolumbiani Lukas Betancur, u arrestua në Kolumbi. Ai kishte rolin kryesor në rekrutimin e vajzave dhe menaxhimin e rrjetit. Hetimet treguan se të ardhurat nga prostitucioni transferoheshin përmes kriptovalutave në llogaritë e tij.
Arrestimet në Shqipëri
Në pranga në vendin tonë ranë:
- Assel Adrysheva
- Rostyslav Mieshkov
- Denis Berisha
- Mirel Shpërdheja
- Dritan Sukaj
- Ilmar Gugashi
- Kejvin Ndreu
Gjithashtu, 48 vajza të huaja janë vënë nën hetim për ushtrim prostitucioni, ndërsa 3 të tjera janë shpallur në kërkim.
Metodat e grupit
Sipas dosjes hetimore, Betancur dhe bashkëpunëtorët e tij rekrutonin vajza të reja në vendet e origjinës, duke u premtuar punë ose mundësi më të mira jetese në Europë. Ato silleshin në Shqipëri me udhëtime të organizuara dhe strehoheshin në apartamente, ku më pas detyroheshin të ushtronin prostitucion.
Nëse ndonjë vajzë refuzonte apo tentonte të largohej, kërcënohej se familja e saj do të merrej peng.
Hetimi
Hetimi nisi që në shkurt 2025, duke zbuluar një rrjet të mirëstrukturuar kriminal, i lidhur me grupe ndërkombëtare. Ky operacion konsiderohet një nga goditjet më të mëdha kundër trafikut të qenieve njerëzore në Shqipëri dhe rajon vitet e fundit.
Autoritetet shqiptare theksojnë se hetimet do të vijojnë për të identifikuar të tjerë bashkëpunëtorë dhe për të sekuestruar asetet e përfituara nga ky aktivitet kriminal.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



