Gonxhja i Ramës fyen rëndë protestuesit: Një tufë budallenjsh!
Gjatë fjalës së tij në Komisionin e Ligjeve, ministri Blendi Gonxhja ka reaguar ndaj protestave të zhvilluara prej javësh, duke e ashpërsuar ndjeshëm retorikën e tij ndaj qytetarëve që ndodhen në protestë.
Gonxhja deklaroi se ai nuk i përket një profili protestuesi të zakonshëm, ndërsa u shpreh se në të kaluarën ka rrezikuar jetën dhe familjen për lirinë. Në vijim të deklaratës së tij, ministri përdori tone fyese ndaj protestuesve, duke i quajtur ata “një tufë budallenjsh”.
“Unë nuk jam protestues bukë peshku, por kam marrë gurë dhe plumba. I përkasim një kohe kur kemi rrezikuar jetën dhe familjen për lirinë. Një tufë budallenjsh që gjuajnë me gurë dhe pllaka nga hyrja e Kuvendit… Populli ka thënë: ‘Hajde rrugë budallait’”, është shprehur Gonxhja.
Deklaratat e ministrit i referohen qytetarëve që prej 52 ditësh kanë vijuar protestat e tyre, të cilat janë cilësuar nga organizatorët si një “revolucion qytetar”.
Kërkesa kryesore e protestuesve është dorëheqja e kryeministrit Edi Rama, ndërsa tubimet kanë vijuar me pjesëmarrje të qytetarëve nga zona të ndryshme të vendit dhe me përplasje të herëpashershme mes protestuesve dhe institucioneve shtetërore.
Fjalët e Gonxhes pritet të sjellin reagime politike, pasi vijnë në një moment kur përplasja mes mazhorancës dhe protestuesve është intensifikuar.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



