Kreu i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato, gjatë prezantimit të Raportit Vjetor të Avokatit të Popullit, theksoi rëndësinë e forcimit të institucioneve dhe besimit të qytetarëve ndaj tyre.
Ai u shpreh se pavarësia institucionale dhe funksionimi i mekanizmave të kontrollit janë elementë thelbësorë për avancimin e vendit në procesin e integrimit europian.
“Rëndësia e pavarësisë institucionale, besueshmëria dhe besimi publik janë thelbësore. Mbrojtja efektive e të drejtave themelore dhe funksionimi i duhur i mekanizmave të balancës mbeten në thelb të grupkapitullit të Themeloreve që përcakton ritmin e negociatave të anëtarësimit”, u shpreh Gonzato.
Ai theksoi gjithashtu se rekomandimet dhe gjetjet e institucioneve duhet të zbatohen në praktikë dhe të mos mbeten vetëm në letër.
“Pa ndjekjen e duhur të institucioneve publike, nuk mund të kthehen në gjetje reale. Dëshiroj të theksoj që puna e mëtejshme vazhdon si pjesë e komisioneve sektoriale dhe politikëbërjen e rekomandimeve që të mos mbeten pjesë e një super strukture të shkëputur nga realiteti”, shtoi ai.
Në fund, Gonzato i bëri thirrje Kuvendi i Shqipërisë që të garantojë mbështetjen e nevojshme për institucionin e Avokatit të Popullit.
“I kujtoj Kuvendit përgjegjësinë që zyra e Avokatit të Popullit të ketë personelin dhe burimet e duhura”, deklaroi ai.







