Grabiste targa automjetesh, arrestohet në Durrës 36-vjeçari nga Kosova
Një 36-vjeçar nga Kosova është arrestuar nga Policia e Durrësit, pasi dyshohet se vidhte targa automjetesh, të cilat më pas ua shiste personave me precedent penal për t’u përdorur në kryerjen e krimeve kundër personit dhe pronës.
Sipas burimeve zyrtare, në pranga ka rënë shtetasi me inicialet E. Q., i cili u arrestua në kuadër të operacionit policor të koduar “Targat”, i finalizuar nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës.
36-vjeçari u kap në flagrancë në lagjen nr. 13, zona e Plazhit në Durrës, duke qarkulluar me një automjet tip “Ford”, i pajisur me targa të vjedhura pak më parë në lagjen nr. 5 të qytetit, në pronësi të shtetasit R. C.
Gjatë kontrollit të ushtruar në automjet, policia gjeti në bagazh dy palë targa të tjera, përfshirë edhe targa të një automjeti nga Kosova. Po ashtu, në sediljen e shoferit u sekuestruan kaçavida, pinca, një thikë, një palë doreza dhe një kapuç, mjete që dyshohet se përdoreshin për kryerjen e vjedhjeve.
Nga veprimet hetimore rezulton se E. Q. është autor edhe i vjedhjes së targave në të paktën dy automjete të tjera, të ndodhura gjatë muajve të fundit në qytetin e Durrësit.
Të gjitha sendet u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, ndërsa në bashkëpunim me Prokurorinë vijon puna për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të këtij shtetasi. Materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprat penale “Vjedhja” dhe “Sigurimi i mjeteve për vjedhje”.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



