E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Grabitet shtëpia e kardinalit shqiptar në Firence
Lajme

Grabitet shtëpia e kardinalit shqiptar në Firence

Ernest Simoni po takohej me mbretin Charles, hajdutët i marrin 30 mijë euro

Një grabitje e pazakontë ka tronditur një prej zonave më të njohura të Firences, ku hajdutët kanë hyrë në banesën e kardinalit shqiptar Ernest Simoni, ndërsa ai ndodhej jashtë Italisë.

Ngjarja ka ndodhur në apartamentin që ndodhet në Piazza Duomo, pjesë e një banese të Kurisë ku 97-vjeçari jeton së bashku me nipin e tij, Tonin Simoni, restaurator në Firence.

Në momentin kur autorët kanë vepruar, banesa ka qenë bosh. Kardinali Ernest Simoni ndodhej në Londër, ku kishte zhvilluar një takim me Mbretin Charles III, ndërsa nipi i tij dhe bashkëshortja kishin dalë nga shtëpia rreth orës 13:00.

Kur u kthyen, rreth orës 23:00, ata gjetën apartamentin të përmbysur.

Sipas raportimeve të medias italiane, grabitësit kishin dëmtuar murin pranë hyrjes për të krijuar hapësirën e nevojshme për të ndërhyrë në derën e blinduar. Me përdorimin e daltave, ata arritën të hapnin derën dhe më pas kontrolluan thuajse çdo cep të banesës.

Garderobat, valixhet, sirtarët dhe kasetat u hapën njëra pas tjetrës. Dy daltat që dyshohet se u përdorën gjatë grabitjes u gjetën të braktisura në korridorin e pallatit.

Nga banesa u morën rreth 30 mijë euro në vlerë, mes tyre para cash, sende floriri, bizhuteri të bashkëshortes së Tonin Simonit, medalje dhe një vulë floriri.

Por një prej sendeve të marra ka ngritur pikëpyetje të veçanta për hetuesit: leja e qëndrimit e kardinalit Ernest Simoni.

Dokumenti ndodhej në një sirtar dhe u mor nga autorët bashkë me sendet e tjera.

“Vjedhja e këtij dokumenti është e çuditshme. Nuk e kuptoj pse mund t’i duhej dikujt, përveç rastit kur synon ta falsifikojë”, ka deklaruar Tonin Simoni.

“Na kishin vëzhguar”

Nipi i kardinalit dyshon se grabitësit e kishin studiuar më parë banesën dhe lëvizjet e familjes.

“Jam i bindur se na kishin vëzhguar. E dinin saktësisht që nuk ndodhej askush në shtëpi”, është shprehur ai.

Një prej elementëve që ka tërhequr vëmendjen e hetuesve është fakti se autorët duket se kanë pasur nevojë për një kohë të konsiderueshme për të dëmtuar murin dhe për të hapur derën e blinduar.

Pavarësisht zhurmës së mundshme, askush nuk ka raportuar se ka dëgjuar diçka të dyshimtë. Madje, as prifti që jeton në katin poshtë apartamentit nuk ka konstatuar ndonjë lëvizje të pazakontë.

“Është e pabesueshme që një grabitje e tillë të ndodhë në Piazza Duomo, ndoshta edhe në mes të ditës. Është një turp për qytetin”, ka deklaruar Tonin Simoni.

Karabinierët nisën menjëherë hetimet, ndërsa ekspertët e policisë shkencore kryen këqyrjen e apartamentit për të identifikuar gjurmë që mund të çojnë te autorët.

Në fokus janë edhe kamerat e sigurisë të vendosura në Piazza Duomo, një prej hapësirave më të monitoruara të Firences. Pikërisht prania e një numri të madh kamerash e bën edhe më të veçantë mënyrën se si është realizuar grabitja.

Pas zbulimit të ngjarjes, Tonin Simoni telefonoi kardinalin në Londër për ta informuar.

Por reagimi i Ernest Simonit nuk lidhej me paratë, bizhuteritë apo sendet e tjera të marra nga grabitësit.

Sipas nipit të tij, pyetja e parë e kardinalit ishte nëse autorët kishin prekur statujat fetare që ai mban në dhomën e tij, një hapësirë që i ngjan një kapelje të vogël.

Ai pyeti posaçërisht për statujën e Zojës së Medjugorjes dhe atë të Atë Pios. Kur mori përgjigjen se të dyja ishin ende në vend, kardinali u shpreh se pjesa tjetër kishte pak rëndësi.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.