Greqia jehonë fitores së Shqipërisë: Festuan si në 2004 ndaj nesh
Fitorja historike e Shqipërisë ndaj Serbisë ka marrë jehonë edhe në mediat greke, të cilat e kanë krahasuar me suksesin e vitit 2004 ndaj Greqisë në Tiranë. Portali grek Protothema.gr i ka kushtuar një artikull të gjatë kësaj ndeshjeje, duke theksuar jo vetëm rëndësinë sportive, por edhe sfondin politik që e shoqëronte.
“Ditët e fundit, Shqipëria ka ‘jetuar’ për ndeshjen me Serbinë për arsye konkurruese dhe jo vetëm, pasi ekziston një histori e pasur tensionesh midis dy vendeve, si për arsye sportive ashtu edhe për arsye politike”, shkruan Protothema.
Sipas medias greke, shqiptarët kishin të gjitha arsyet për të festuar fitoren 1-0 në Leskovac, që i afron Kombëtaren kuqezi me një kualifikim historik në Kupën e Botës 2026, që do të mbahet në SHBA, Kanada dhe Meksikë.
“Ashtu si me Greqinë” — Protothema citon gazetën shqiptare “Sport Ekspres”, e cila krahasoi skenat e festës në Tiranë dhe qytete të tjera me ato të vitit 2004, kur Shqipëria mundi Greqinë me rezultatin 2-1.
Në artikull përmendet edhe një incident në Prishtinë, ku një burrë, i mbështjellë me flamurin shqiptar, qëlloi në ajër me armë pas përfundimit të ndeshjes.
Ndërkohë, grekët i kanë kushtuar vëmendje edhe atmosferës në avionin e Kombëtares shqiptare gjatë kthimit për në shtëpi. Sipas Protothema, lojtarët u dëgjuan duke kënduar parulla për Adem Jasharin, figurë simbolike për shqiptarët dhe një nga themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Artikulli nënvizon kontrastin në mënyrën se si shihet Jashari: një hero kombëtar për shqiptarët, por një figurë e kontestuar dhe e konsideruar si “terrorist” nga serbët.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



