Gruaja rrëfen detajet makabre të vrasjes së Petrit Ndout
“E goditën me çekiç, mua tentuan të më vrisnin”
Petrit Ndou humbi jetën në përpjekje për të mbrojtur tre persona të moshuar, të cilët po përballeshin me dhunë në mes të rrugës.
Familjarët e tij rrëfejnë se ngjarja tragjike ndodhi pas një konflikti të papritur, ku Ndou u godit për vdekje me një mjet të fortë. Për këtë krim është arrestuar shtetasi Andi Vokrri.
Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të 20 janarit, në aksin Thumanë–Fushë Krujë. Sipas dëshmisë së bashkëshortes së viktimës, Gjystina Ndou, ajo ndodhej në makinë me Petritin, teksa po ktheheshin nga një festë familjare në Bushnet.
Rreth mesnatës, ata vunë re disa automjete të ndaluara në rrugë, të bllokuara nga një tjetër mjet. Situata ishte e tensionuar, pasi drejtuesi i makinës që kishte bllokuar rrugën po shfaqte sjellje agresive, duke bërtitur dhe goditur automjetet e tjera.
Petriti, pasi i njohu personat e përfshirë – të cilët i kishte takuar më herët gjatë mbrëmjes – vendosi të zbriste për të ndërhyrë dhe për t’i ndihmuar. Në atë moment, sipas bashkëshortes, agresori po ushtronte dhunë ndaj pasagjeres së njërit prej automjeteve, ku ndodheshin dy të moshuar.
Ai iu drejtua agresorit duke i kërkuar të ndalonte, duke i theksuar se po sulmonte njerëz në moshë të thyer. Madje, mbylli derën e makinës për të shmangur goditje të tjera ndaj tyre.
Pas këtij veprimi, situata u përshkallëzua. Andi Vokrri, sipas dëshmisë, iu kthye Petritit me fyerje dhe kërcënime, ndërsa ky i fundit u përpoq të largonte të moshuarit drejt një zone më të sigurt, duke i orientuar që të futeshin në një kthesë pranë rrugës dhe të qëndronin aty deri në qetësimin e situatës.
Gjystina Ndou tregon se më pas nga automjeti i agresorit zbritën edhe dy persona të tjerë, të cilët u përfshinë në konflikt me Petritin. Ajo u përpoq të ndërhynte për ta ndalur përplasjen, por situata doli jashtë kontrollit.
Sipas saj, Andi Vokrri vazhdoi sjelljen agresive, duke shkuar deri te makina e Petrit Ndout, ku i mori çelësat e mjetit, e goditi automjetin dhe e shtyu edhe atë vetë.
E frikësuar nga përshkallëzimi i dhunës, Gjystina i kërkoi Petritit të largoheshin dhe të fshiheshin diku afër, pasi ishin përballë tre personave agresivë, të cilët mund të ktheheshin të armatosur.
Çifti u largua përkohësisht dhe njoftoi policinë, si edhe familjarë të Gjystinës që banonin pranë zonës. Megjithatë, pas disa minutash, Petriti vendosi të kthehej për të kontrolluar makinën, duke menduar se autorët ishin larguar.
Ai i kërkoi bashkëshortes të qëndronte pas, por kur ajo doli më vonë për ta kërkuar, e gjeti situatën të kthyer në tragjedi. Petriti ishte sulmuar nga autorët dhe ndodhej i shtrirë në tokë.
Sipas saj, një nga agresorët tentoi t’i afrohej edhe asaj, duke mbajtur në dorë një objekt të dyshimtë, por ndërhyrja e vëllezërve të saj, të cilët mbërritën në atë moment, e pengoi sulmin.
Kur pyeti se ku ndodhej bashkëshorti i saj, agresori iu përgjigj shkurt se ai ishte rrëzuar disa metra më tutje. Atje, familjarët gjetën Petrit Ndoun pa shenja jete. Ai ishte goditur në pjesën e pasme të kokës me çekiç, i cili u gjet pranë trupit të viktimës.
Policia mbërriti menjëherë në vendngjarje dhe arrestoi në flagrancë të dyshuarin Andi Vokrri, i cili aktualisht ndodhet në paraburgim.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



