E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Gurë masivë bllokojnë aksin nacional tek ‘Kthesa e Dragostunjës’
Lajme

Gurë masivë bllokojnë aksin nacional tek ‘Kthesa e Dragostunjës’

Një rrëshqitje masive dheu dhe gurësh ka bllokuar plotësisht aksin rrugor Librazhd – Qafë Thanë në zonën e njohur si “Kthesa e Dragostunjës”, duke paralizuar qarkullimin e automjeteve në të dy drejtimet.

Masivi i shkëmbinjve ka rënë nga mali mbi trupin e rrugës, duke e bërë segmentin të pakalueshëm. Dhjetëra mjete kanë mbetur të bllokuara, ndërsa drejtuesit raportojnë pritje që kanë kaluar mbi një orë.

Policia Rrugore e Elbasan u ka bërë thirrje drejtuesve të automjeteve të shmangin këtë segment dhe të pezullojnë udhëtimet drejt Korçë dhe Pogradec, si dhe në drejtim të kundërt, deri në një njoftim të dytë për hapjen e rrugës, radhët e automjeteve janë të gjata dhe e vetmja mundësi për shumë drejtues është kthimi mbrapsht.

Forca të shumta të policisë ndodhen në vendngjarje për të menaxhuar trafikun dhe për të shmangur rreziqe të tjera, pasi zona konsiderohet ende e pasigurt për shkak të mundësisë së rënieve të tjera të gurëve.

Dëmet materiale në infrastrukturë vlerësohen të konsiderueshme dhe rikthimi i qarkullimit në normalitet pritet të kërkojë kohë, për shkak të përmasave të mëdha të shembjes dhe nevojës për ndërhyrje me mjete të rënda.

Ky aks është lidhja kryesore e qendrës së vendit me juglindjen dhe me pikën kufitare të Qafë Thanës, ndaj bllokimi i tij krijon pasoja të drejtpërdrejta për lëvizjen e qytetarëve dhe transportin e mallrave.

Ndërkohë, në terren kanë lindur dyshime paraprake se rrëshqitja mund të jetë ndikuar nga punimet për zgjerimin e rrugës në këtë segment nga një kompani private. Sipas burimeve lokale, kompania nuk ka ndërmarrë ende veprime për pastrimin e rrugës, ndërsa autoritetet pritet të verifikojnë nëse janë respektuar standardet teknike të sigurisë gjatë punimeve.

Policia u bën apel qytetarëve të mos udhëtojnë në këtë aks deri në një njoftim zyrtar, pasi i gjithë korridori rrugor drejt juglindjes mbetet aktualisht i bllokuar.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.