“Hap gojën sa të duash”, si reklamohej “buka” në bisedat e grupit
Nga dosja voluminoze e SPAK, që çoi në prangosjen e një rrjeti që trafikonte kokainë nga Amerika Latine drejt Italisë, janë zbuluar detaje të tjera mbi mënyrën se si organizohej tregtia e drogës, e cila përfshinte rreth 1.3 ton kokainë.
Ndër të arrestuarit ishte edhe oficeri i Antiterrorit, Igli Haxhiaj, i cili u la ditën e sotme në burg nga GJKKO. Ai akuzohet se ka komunikuar informacione të klasifikuara ndaj personave që ishin objekt i këtij hetimi, në këmbim të përfitimeve financiare.
Në dosjen e bërë publike pasqyrohen edhe bisedat e zhvilluara në platformën SkyECC mes Haxhiajt dhe kontakteve të tij. Disa prej fragmenteve të identifikuara në hetim paraqiten më poshtë.
Biseda – 08.03.2021
I. Haxhiaj: Vëlla, si po ecën puna andej… Ke ndonjë mall të mirë me ndonjë çmim të favorshëm?
Tjetri: Eci si zakonisht, duke u munduar të bëjmë lekë. Kam diçka nga Hollanda, rreth 29. Ma ofruan ditët e fundit, është origjinal… Për të përzier kam plot me 25, po nëse të duhen me luspa me gjithçka, i kam.
Haxhiaj: Po qenkan shtrenjt… por po e shitet me aq, e kuptoj.
Biseda – 08.02.2021
Tjetri: Kjo është, s’di sa kanë ngelur. Me 28 të jap ty… Më thuaj, të jap një për testim. Me këta punojmë dorazi.
Haxhiaj: E kuptoj… Po çmimi? Është e mirë? Edhe unë dua punë me lek në dorë. Pa lek s’punoj dot. Sa për cilësinë, di gjë?
Tjetri: Merreni një copë për provë dhe vendosni vetë. Do pyes edhe për gjendjen.
Biseda – 01.03.2021
Tjetri: Kam një copë në Athinë, ta dërgoj? Me çfarë ta sjell?
Haxhiaj: Duhet të flas njëherë… Pml është ajo?
Tjetri: Ajo ngarkesë është… Pml, body, rolex… s’e di fiks, por aty rrotullohet.
Tjetri: 29 mijë blerja, 2 mijë transporti… 31 gjithsej, ne e marrim me 30.
Biseda – 22.10.2020
Tjetri dërgon disa foto.
Haxhiaj: O boso, çfarë është kjo? Bukur duket.
Tjetri: Ky mall këtu shitet me 38.
Haxhiaj: Po me 37 mund ta marrim?
Tjetri: Me 37 e marrim ne… Nëse merret edhe ai tjetri, po i jap dy copa.
Haxhiaj: Merre dy gram, jam duke pritur edhe këtë me 37 që ta provoj se mund të më duhen dy copë.
Tjetri: Në Durrës janë këto, kanë tre lloj stampash.
Haxhiaj: I ke testuar? M’i ço pak që të ruaj… Je i sigurt?
Tjetri: Jam duke vozitur, t’i çoj më vonë. S’e kam provuar, por më kanë thënë që është i mirë.
12.02.2021
Haxhiaj dërgon disa foto të tjera të llojit “krahasues”.
Tjetri: Ja i nisa, po pres përgjigje. Pyet njëherë mos është e larë…
Haxhiaj: Këto që të çova janë 100% originale, colo.
Tjetri: Nga ç’vend janë?
Haxhiaj: Rotterdam, besoj. Po e pyes shokun tjetër për saktësi.
Biseda – 14.12.2020
Tjetri: Sa është çmimi në Hollandë? Pyete njëherë sa për informacion.
Haxhiaj: Mirë, po pyes… Në Barcelonë sa shitet kjo? Në Hollandë këta djemtë e kanë marrë nga 31.5 deri në 32.5.
Tjetri: Në Barcelonë rreth 29.5–30.
Haxhiaj: Ka shumë aty?
Tjetri: Rreth 500. Por mbase merret sasi më e madhe në Hollandë, se aty e nxjerrim më mirë.
Biseda – 15.12.2020
Tjetri: File, Hollandë – 29.5. Është malli ynë.
Haxhiaj: Po flas me djalin direkt, sasia është e madhe?
Tjetri: Jo shumë… por “hap gojën sa të duash”.
Haxhiaj: Në Barcelonë kush është kontakti? Do ta shohë dikush. Edhe sa na e lë… Më jep një adresë…
Haxhiaj: Po nëse mi sjell 4–5 copa më poshtë? Ka mundësi t’i sjellësh në Shqipëri?
Tjetri: Unë jo. Unë t’i jap në Hollandë ose Spanjë. Pastaj shikoje vetë.
Ndaj Haxhiajt rëndojnë akuzat për korrupsion, shpërdorim detyre dhe nxjerrje të sekretit hetimor. Tre të arrestuar të tjerë – Asti Llupi, Altin Shehaj dhe Erald Salla – janë ndaluar me qëllim ekstradimin në Itali.
Gjykata e Brescias ka firmosur 24 masa sigurie, 10 prej të cilave u ekzekutuan në Itali, 3 në Shqipëri, ndërsa tre anëtarë të tjerë dyshohet se fshihen ende në vend.
Sipas hetimit, kokaina transportohej fillimisht me anije nga Amerika e Jugut drejt Europës Veriore dhe më pas shpërndahej me mjete tokësore drejt 6 bazave në Itali të kontrolluara nga grupi shqiptar.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



