Harta e re administrative, ja çfarë kërkon PD nga Reforma Territoriale
Partia Demokratike insiston se vendi ka nevojë për një korrigjim të ndarjes administrative. Referuar studimeve të ndryshme, PD-ja pretendon se reforma e vitit 2014 nuk shërbeu për të përmirësuar administrimin e njësive vendore. Po ashtu, demokracia lokale nuk u rrit sipas tyre. Ndaj, ata kanë nisur një proces në të gjithë vendin për të marrë shqetësimet për secilën bashki dhe propozimet e ekspertëve. Grupi i punës po drejtohet nga sekretari i PD-së për pushtetin vendor, Roland Bejko. Ky i fundit në një intervistë për gazetën “Panorama” u shpreh se drafti që ka pasur më herët PD-ja për pushtetin lokal nuk do të shërbejë për asgjë, pasi procesi ka nisur nga fillimi. Ndërkohë që nga të dhënat e para të mbledhura, sipas Bejkos, rezulton se me këtë ndarje territoriale Kryeministri Rama, pushteti qendror mban peng pushtetin lokal.

Sipas tij, qeveria alokon fondin më të ulët në rajon për pushtetin lokal, ndërsa 70% i tij shkon për të punonjësit. Në këtë kontekst, Bejko thekson se qëllimi i Reformës në vitin 2014 ishte për të ulur administratën lokale, por që në fakt ndodhi e kundërta. Bejko shprehet se administrata lokale është fryrë në maksimum, ndërsa shërbimet mungojnë. Ndonëse pret që të marrë mendimin e ekspertëve deri në fund, PD-ja e ka një ide për Reformën. Sipas Bejkos, disa bashki me shtrirje të gjerë territoriale duhet të ndahen, ndërsa disa të tjera duhet të bashkohen në mënyrë që të bëhen më konkurrente.
Z. Bejko, PD-ja ka ngritur grupin e punës për Reformën Territoriale. Cilat janë pritshmëritë nga kjo Reformë?
Në fakt, pritshmëritë që ka PD-ja për Reformën Administrativo-Territoriale janë të njëjtat me ato që kanë gjithë qytetarët shqiptarë, të cilët po vuajnë sot në kurriz pasojat e një dështimi spektakolar të kësaj Reforme dhe vetëqeverisjes vendore. Vështirë se gjen sot banorë të këtij vendi, në çfarëdo bashki qoftë, të madhe a të vogël, në Jug a në Veri, i majtë apo i djathtë, që të jetë i kënaqur nga produkti i qeverisjes që doli pas kësaj Reforme. Qytetarët paguajnë taksa dhe tarifa vendore, por nuk marrin mbrapsht as investimet dhe as shërbimet e pretenduara. Reforma Administrativo-Territoriale ka dështuar si në efikasitetin e ofrimit të shërbimeve, kostos së ulët financiare me pretendimin se po të suprimoheshin komunat dhe të zmadhoheshin bashkitë do kishim më pak punonjës dhe do kurseheshin rreth 80 milionë euro, ashtu edhe në atë të pasjes së një decentralizimi më të thellë e një demokracie lokale më funksionale. Për decentralizim fiskal, as që bëhet fjalë.
Të ardhurat lokale janë të pamjaftueshme që t’u sigurojnë bashkive autonominë financiare nga qeveria. Ndërkohë, të gjitha bashkitë, me përjashtim të Tiranës që siguron të ardhura të larta nga taksa e infrastrukturës ndërtimore kryesisht, gjithë të tjerat janë në mëshirën e qeverisë sa u përket fondeve për shpenzime dhe atyre për investime. Granti që qeveria u alokon bashkive përbën 1% të GDP-së, më të ultën në rajon dhe gati 70% e tij shkon për shpenzime e paga, si dhe më pak se 30% për investime publike. Mjerim! Numri i punonjësve në njësitë e vetëqeverisjes vendore u shumëfishua disa herë, nga 25 mijë që ishte në 2015, sot ka shkuar në rreth 60 mijë dhe gjatë fushatave elektorale edhe 80 mijë. Kështu që për pasojë u rrit edhe buxheti për fondin e pagave të tyre.
Por, a u përmirësua shërbimi ndaj qytetarëve?
Pushteti vendor jo vetëm që nuk u decentralizua siç u premtua në fillim, por ai u centralizua edhe më shumë. Të gjithë kryetarët e bashkive, sytë i kanë te duart e Ramës. Është Kryeministri ai që u ndan fondet, por që u përcakton dhe prioritetet e investimeve vendore. Gjithçka, sipas vullnetit dhe gustove të tij. E keni parasysh se çfarë ndodhi në Velipojë? Bashkia nuk ka kompetencë sa për të dhënë leje për përdoruesit e shezlongëve, por qytetarët u vranë midis tyre në pritje të një lejeje nga qeveria qendrore. Ndërsa, pjesëmarrja e qytetarëve në vendimmarrjet lokale ngeli thjesht një premtim. Në realitet qytetarët në qendrat e mëdha administrative jo vetëm që nuk e njohin fare administratorin e emëruar nga kryetari i Bashkisë, nuk e kanë idenë se kush këshilltar e përfaqëson zonën e tyre në Këshillin e Bashkisë. Ndërsa mundësinë për t’u takuar me kryebashkiakun ata thonë se e kanë një të tillë, por vetëm gjatë fushatave elektorale. Për të mos folur këtu për rastet kur një qytetar i periferisë duhet të udhëtojë disa orë për të mbaruar një punë pranë bashkisë dhe nuk është i sigurt nëse do të mundet ta mbarojë atë ditë, etj.
Ju keni qenë pjesë e ekipit të PD dhe në hartimin e programit për pushtetin lokal para zgjedhjeve politike. Pra, keni një draft të hartuar. Cilat janë pikat kryesore të atij drafti?
Aty ka qenë parashikuar një numër më i madh bashkisë dhe ndarja territoriale e parashikuar sipas parimeve kushtetuese, duke pasur parasysh se kur bëhet një rindarje territoriale dhe ndryshim kufijsh për shkrirje a bashkim territoresh të qendrave administrative më parë u merret mendimi vet banorëve të zonës në fjalë, pastaj shikohet vazhdimësia gjeografike, lidhjet etnokulturore, historiku i qeverisjes lokale të zonës, perspektiva e zhvillimit ekonomik, etj. Detajet e tjera të ish-draftit nuk kanë asnjë vlerë sot, pasi gjithçka do të ribëhet pas konsultimeve dhe dëgjesave që do të bëjmë këto ditë në çdo qark me qytetarët e interesuar, pra jo vetëm me demokratët. Qysh prej 2014-ës, mos të harrojmë në Shqipëri kemi ndryshime të konsiderueshme demografike. Shumë zona periferike janë braktisur nga banorët, të cilët në pjesën dërmuese të tyre kanë shkuar në emigracion për shkak të mungesës së politikave të zhvillimit ekonomik si nga ana e qeverisë, ashtu dhe nga ana e pushtetit vendor. Në braktisjen e vendit ka ndikuar shumë edhe ndarja e re territoriale dhe suprimimi i komunave. Bashkitë nuk janë në gjendje të ofrojnë as politika dhe investime në bujqësi, blegtori apo agro-industri.
Problematikat mund të ndahen të spektrit menaxherial dhe të hapësirës gjeografike, por edhe të tipit politik, pra të decentralizimit të pushtetit. Si do përqendrohet puna?
Partia Demokratike do organizojë këto ditë tryeza të gjera, dëgjesa me publikun në të gjitha qarqet e vendit. Në qarqet e mëdha do ketë edhe më shumë se një takim të vetëm. Aty do mbahen shënim të gjitha pretendimet e qytetarëve dhe do klasifikohen sipas natyrës së tyre nga ekspertët tanë. Në fund, do të konkretizohen si një paketë propozimesh dhe do t’i kalojnë grupit të deputetëve që do të jenë anëtarë të Komisionit Parlamentar të rishikimit të Reformës Administrativo-Territoriale. Ata do negociojnë për të siguruar konsensusin e domosdoshëm politik midis palëve.
Ndarja e kufijve me Reformën e kaluar ka dëshmuar se ka hasur probleme në disa bashki, sipas jush Shqipërisë i duhen më shumë njësi të vetëqeverisjes vendore? Nëse po, sipas PD-së sa duhet të jetë numri i bashkive apo komunave, sido që të quhet?
Ne mendojmë se nisur nga problematika e shumta që kemi evidentuar deri më sot, si dhe duke dëgjuar pretendimet e qytetarëve, raportet e studimeve të ndryshme të organizatave jofitimprurëse shqiptare a të huaja, mendojmë se decentralizimi, demokracia lokale, ofrimi i shërbimeve etj., do ishin më efikase, si dhe pushteti vendor do ishte më afër qytetarëve nëse një pjesë e bashkive të mëdha nuk do të ishin pikërisht kaq të shtrira në hapësirën gjeografike sa tani. Ashtu siç mund të ketë edhe raste që bashki të veçanta që të jenë kompetitive sa i përket zhvillimit ekonomik të zonës, mbledhjes së të ardhurave dhe investimeve publike, do të duhet të bashkohet me një tjetër bashki fqinje, nga e cila mund të jetë ndarë vetëm për arsye të leverdisë elektorale të hartuesve të ndarjes territoriale të 2014. Por gjithsesi, në fund produkti do dalë pas negociatave midis palëve, pasi asnjë variant i palëve nuk merr vlerë po nuk pati konsensusin edhe të bashkëkryetarit të palës tjetër. E rëndësishme është që rishikimi i kësaj Reforme të niset dhe të mbyllet me vullnetin pozitiv të palëve duke prevaluar interesi publik dhe jo interesi politik i palëve.
Do shqyrtohet vetëm korrigjimi i kufijve, apo edhe çështja e kompetencave që duhet të marrë më shumë pushteti lokal?
Korrigjimi i kufijve nuk është thjesht qëllim në vetvete dhe i vetmi objektiv, apo objektivi kryesor i rishikimit të hartës territoriale. Që vetëqeverisja vendore të bëhet demokratike dhe efikase duhet të rishikohet në të gjitha komponentët e saj. Forcimi i pushtetit të këshillave bashkiake p.sh., duhet të jetë një aspekt i rëndësishëm i vetëqeverisjes vendore. Vendimet i merr Këshilli si përfaqësues i drejtpërdrejtë i zgjedhësve, kryetari i Bashkisë është thjesht ekzekutues i përpiktë i këtyre vendimeve. Nëse nuk do arrijmë ta kuptojmë se më i rëndësishmi në vetëqeverisjen vendore, nuk është kryetari Bashkisë, por Këshilli i Bashkisë, atëherë nuk kemi kuptuar asgjë nga demokracia lokale.
Z. Bejko, jeni para zgjedhjeve të 6 marsit, pra ku ka një fokusim të politikës, ndërkohë që pritet që të nisë dhe debati për Presidentin e ri. Druheni se këto zhvillime do pengojnë ecurinë e Reformës?
Secila nga çështjet ka axhendën e vet dhe targetgrupe të ndryshme të të angazhuarve në këto reforma apo procese politike. Situata politike mund të na ketë rezervuar edhe surpriza apo befasi të tjera sa u përket zhvillimeve. Ku i dihet. Afera e inceneratorëve p.sh., apo statusi i cunguar politik i disa prej aktorëve të vjetër të politikës, mund të na diktojnë zhvillime të paparashikuara. Por, sido që të jetë e çfarëdo që të ndodhë, Reforma Administrativo-Territoriale, Reforma Zgjedhore dhe disa reforma të tjera, do jenë në tavolinën e diskutimeve pasi sido që të jetë, në zgjedhjet vendore të vitit që vjen, nuk mund të hyhet me të njëjtën paketë që rezultoi e dështuar në shumicën e termave dhe objektivave fillestarë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



