Hetimet për çështjen e “Tigrit”, zbulohet lëvizja e fundit nga SPAK
Janë zgjatur me tre muaj të tjerë hetimet për ish-zëvendëskryeministrin Arben Ahmetaj, në lidhje me çështjen e tij të hapur për aferën e inceneratorëve.
Shtyrja e afatit është bërë për shkak se ende nuk janë marrë përgjigjet e letërporosive. Kjo është hera e pestë që SPAK vendos të zgjasë afatin e hetimeve ndaj ish-zyrtarit, ndërsa si datë përmbyllëse e hetimeve tashmë është vendosur 23 nëntori.
Ahmetaj po hetohet me masë sigurie në mungesë, lidhur me akuzat për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie, në kuadër të dosjes së inceneratorëve. Në këtë çështje, të pandehura janë marrë edhe ish-bashkëshortja dhe bashkëjetuesja e Ahmetajt, të cilat përballen me akuza për pastrim parash. Javë më parë, janë vënë nën sekuestro edhe disa prej pasurive të tyre.
Arben Ahmetaj është shpallur në kërkim me urdhër të SPAK dhe vendim të GJKKO-së, për çështjen e inceneratorëve dhe akuzat për shpërdorim detyre. Po ashtu, ai është subjekt hetimi edhe për dosjen “Buka”.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



