“Hiq dorë”, kërcënohet me jetë gazetari Osman Stafa
Pas denoncimeve të vazhdueshme mbi mungesën e ilaçeve dhe pajisjeve jetike në Spitalin Onkologjik, gazetari Osman Stafa është përballur me një kërcënim të drejtpërdrejtë dhe brutal, me qëllim ta frikësojë dhe ta tërheqë nga investigimet e tij.
Një adresë anonime në rrjetet sociale i ka dërguar Stafës një mesazh me përmbajtje banale, fyese dhe hapur kërcënuese, ku i kërkohet të mos shfaqet më në ambientet e Onkologjikut dhe të heqë dorë nga denoncimet për korrupsionin dhe abuzimet ndaj pacientëve të sëmurë me tumore.
Pas marrjes së këtij mesazhi, gazetari i News24 i është drejtuar Policisë së Shtetit, ku ka depozituar kallëzim penal për “kërcënim për shkak të detyrës”. Autoritetet kanë nisur hetimet për të identifikuar autorin dhe personat që mund të fshihen pas këtij akti intimidues.
Megjithë presionet dhe kërcënimet, Osman Stafa deklaron se nuk do të tërhiqet dhe se do të vazhdojë investigimet e tij për realitetin e rëndë brenda Onkologjikut. Ai thekson se nuk frikësohet nga asnjë lloj presioni dhe se është i vendosur të nxjerrë në dritë abuzimet që u kushtojnë jetën pacientëve të prekur nga sëmundjet tumorale.
Prej vitesh, Stafa ka dokumentuar mungesa, skandale dhe abuzime në shërbimin Onkologjik: brakiterapinë e munguar për gratë me kancer gjinekologjik, mungesën e PET-scan-it, mungesën e ilaçeve të kimioterapisë, si dhe raste korrupsioni nga personeli mjekësor, përfshirë trafikimin e biopsive nga publiku drejt privatit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



