HISTORIKE/ ‘Noc Rroku’ i vetmi lider shqiptar që ka numrat e udhëheqësve të BE-së në celularin e tij
Sytki Spici
Në rubrikën e tij të zakonshme “Sy m’sy”, ku çdo javë ndan me popullin mendimet e tij të thella për botën, Evropën dhe fatin e Shqipërisë, kryeministri Edi Rama zbuloi një fakt historik: ai është i vetmi lider shqiptar që ka numrat e udhëheqësve të BE-së në celularin e tij. Jo vetëm kaq, por kjo histori është aq epike sa që duhet të hyjë në libra! Sigurisht, jo tani, sepse ai është ende në detyrë – por ndërkohë, ja që e tregoi… gazeta e Varicarlobolonos.

Imagjinoni një skenë tipike në Bruksel: Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, nxiton të hapë WhatsApp-in për të parë nëse ka ndonjë mesazh nga Edi. Macron ndoshta pret me padurim një telefonatë të orëve të vona, ndërsa Scholz mund të jetë i shqetësuar që Rama s’po i përgjigjet në Messenger. Nuk është e qartë nëse liderët e BE-së janë më të lumtur për këtë privilegj apo më të stresuar nga mesazhet e papritura në orën tre të mëngjesit.
Por pse kjo duhet të jetë një arsye që PS të marrë një mandat të fortë më 11 maj? Sepse, sipas kryeministrit, marrëdhëniet personale me liderët europianë janë çelësi i integrimit. Nuk ka rëndësi që procesi i negociatave është një mekanizëm burokratik i ndërtuar mbi kritere teknike, reforma institucionale dhe ligje të rrepta. Jo, e rëndësishme është që kur Ursula të ketë ndonjë hall, ta zgjidhë me një telefonatë private në Viber!
Natyrisht, ky është një moment historik. Asnjë lider shqiptar nuk ka pasur ndonjëherë këtë lloj fuqie diplomatike në telefonin e tij. Të gjithë ata para Ramës, që nga Ismail Qemali e deri tek Sali Berisha, mesa duket e kaluan kohën kot, pa i ruajtur kontaktet e nevojshme në telefon.
Megjithatë, populli shqiptar ka të drejtën të bëjë disa pyetje legjitime:
1.A janë këta liderët e BE-së në një grup WhatsApp-i me Ramën? Dhe nëse po, çfarë emri ka grupi? “BE & Edi” apo “Negotiations Squad”?
2.A merr ndonjëherë Rama “seen” nga liderët e BE-së? Apo ata përgjigjen me emoji si “thumbs up” dhe e lënë të kuptojë që nuk kanë shumë kohë për të biseduar?
3.Kur të botohet libri, a do të kemi edhe screenshote të këtyre bisedave? Apo ndoshta do të mbetet një enigmë e pazbardhur në histori?
Për momentin, na mbetet vetëm të presim. Historia e numrave të BE-së në telefonin e Edi Ramës do të jetë një nga misteret më të mëdha të politikës shqiptare. Dhe ndoshta një ditë, në një muze kombëtar, do të ekspozohet telefoni i tij me shënimin: “Me këtë pajisje u hapën negociatat me BE-në”.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



