E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Hita falënderon policët: Sakrifica dhe guximi juaj shmangën katastrofën
Lajme

Hita falënderon policët: Sakrifica dhe guximi juaj shmangën katastrofën

Drejtori i Policisë Tiranë, Oligert Torba, ministri Lamallari dhe kreu i Policisë Shtetit  Skender Hita

Rreth 300 punonjës të Policisë së Shtetit janë angazhuar në operacionin për përballimin e zjarrit në Krujë, duke iu bashkuar forcave zjarrfikëse, Forcave të Armatosura dhe strukturave të emergjencave civile.

Paraditen e sotme, ministri i Punëve të Brendshme, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skender Hita, dhe drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë zhvilluan një takim me efektivët që u angazhuan gjatë situatës së vështirë të krijuar nga flakët.

Hita falënderoi punonjësit e Policisë për sakrificën, guximin dhe profesionalizmin e treguar, duke theksuar se ndërhyrja e strukturave në terren bëri të mundur shmangien e humbjeve në jetë dhe të djegies së banesave.

“Shumë faleminderit që, gjatë një nate shumë të lodhshme dhe shumë të gjatë për të gjithë ne, arritëm ta përballojmë me sukses një situatë jashtëzakonisht të vështirë.

Vërtet ishte një situatë që nuk e kishim ndeshur më parë, me këto përmasa dhe kaq pranë qytetit. Por vendosmëria, përkushtimi dhe guximi juaj bënë të mundur që, gjatë këtij operacioni, të mos kishim asnjë humbje jete, asnjë banesë të përfshirë nga zjarri dhe që flakët të mos përhapeshin në zonat e qytetit”, deklaroi Hita.

Kreu i Policisë së Shtetit vlerësoi gjithashtu punën e kryer në një terren të vështirë dhe në kushte të pafavorshme klimatike.

“Ka qenë vërtet një punë shumë e lodhshme dhe e mundimshme, në një terren të vështirë dhe në kushte klimatike aspak të favorshme. Por, gjithsesi, ne arritëm të bënim më të mirën dhe ta vendosnim zjarrin nën kontroll, së bashku me forcat zjarrfikëse dhe strukturat e emergjencave civile.

Faleminderit! Jam vërtet shumë mirënjohës për punën tuaj të palodhur, për gjithçka që bëtë dhe për atë që do të vazhdoni të bëni edhe në orët në vijim”, tha Hita.

Sipas Policisë së Shtetit, rreth 300 efektivë u përfshinë në operacion dhe vepruan në vijën e parë së bashku me zjarrfikësit dhe efektivët e Forcave të Armatosura.

Punonjësit e Policisë u angazhuan edhe në evakuimin e banorëve nga zonat e rrezikuara. Në dispozicion të operacionit u vendosën gjithashtu autobote dhe mjete ujëhedhëse të Policisë, me qëllim frenimin e përhapjes së flakëve dhe mbrojtjen e jetës dhe pronës së banorëve.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.