Horror në Itali! Vritet gazetari sportiv, trupi i gjendet i djegur
Një ngjarje e rëndë ka tronditur botën e medias në Itali, ku gazetari sportiv Luigi Esposito, 53 vjeç, është gjetur i pajetë në një zonë rurale në Eboli, pranë qytetit të Salernos. Rrethanat e vdekjes kanë ngritur dyshime të forta për një akt të qëllimshëm kriminal.
Sipas informacioneve paraprake, trupi i pajetë u zbulua në orët e para të mëngjesit të së dielës, më 19 korrik, gjatë një ndërhyrjeje të zjarrfikësve për shuarjen e një zjarri në zonë. Hetuesit dyshojnë se viktima është qëlluar fillimisht me armë zjarri dhe më pas i është vënë flaka, në një përpjekje për të fshehur gjurmët.
Identiteti i gazetarit u konfirmua pas zbulimit të një automjeti të braktisur aty pranë, i regjistruar në emrin e tij. Esposito, i njohur në publik edhe me emrin Luca, kishte ndërtuar një profil të njohur në gazetarinë sportive si komentator dhe analist.
Kolegët dhe bashkëpunëtorët e tij e kujtojnë si një profesionist të përkushtuar dhe një zë të fortë në mbrojtje të bindjeve të tij. Drejtues të medias ku ai kontribuonte e kanë cilësuar humbjen si një goditje të rëndë për komunitetin mediatik dhe kanë kërkuar që autorët të vihen përpara drejtësisë.
Prokuroria e Salernos ka hapur një hetim të plotë për zbardhjen e ngjarjes, ndërsa po shqyrtohen të gjitha pistat e mundshme. Deri në këtë fazë, nuk është konfirmuar nëse vrasja lidhet me aktivitetin e tij profesional apo me rrethana të tjera personale.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



