Horror në Kosovë, burri ther me thikë vajzën e mitur dhe gruan
Një rast i rëndë i dhunës në familje ka ndodhur pas mesnate në Prizren, ku një burrë ka therur me thikë gruan dhe vajzën e tij të mitur. Prokuroria Themelore në Prizren njofton se gjendja shëndetësore e të dy viktimave është e rëndë, shkruan Gazeta Express.
Viktimat, nëna dhe vajza e saj, janë dërguar për trajtim në Spitalin Rajonal të Prizrenit. Ndërkohë, i dyshuari është arrestuar dhe ndaj tij është caktuar ndalimi 48-orësh.
Komunikata e Prokurorisë Themelore në Prizren:
Prizren, 17 Tetor 2025 – Departamenti për Krime të Rënda njofton se më 17.10.2025, rreth orës 00:20, policia ka pranuar informacion për një rast të dhunës në familje në rrugën “Rexhep Kabashi” në Prizren. Patrulla ka ndërhyrë menjëherë dhe ka gjetur një grua me lëndime të shkaktuara nga mjeti i mprehtë – thika, duke pësuar gjakderdhje. Ndihma e parë iu është dhënë nga policia deri në ardhjen e ekipit mjekësor.
Në katin e fundit të banesës u gjet edhe vajza e mitur e viktimës, e cila po ashtu kishte lëndime dhe gjakderdhje. Ato janë dërguar urgjent në Spitalin Rajonal të Prizrenit, ku gjendja e tyre konsiderohet e rëndë.
Në bashkëpunim me prokurorin kujdestar dhe njësinë e teknikës kriminalistike, policia arrestoi menjëherë të dyshuarin në hyrje të banesës dhe e shoqëroi për procedura të mëtejshme.
Prokurori ka urdhëruar ndalimin e tij për 48 orë, për veprat penale “Vrasja e rëndë në tentativë” dhe “Mbajtja e paautorizuar e armëve”. Brenda afatit ligjor do të parashtrohet kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit.
Prokuroria Themelore në Prizren po vazhdon hetimet intensive për zbardhjen e plotë të rastit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



