Hoteli me 5 yje i çiftit Xhaçka-Gaçi bëhet problem i partisë
Pas dasmës me Artan Gaçin në vitin 2014 kur socialistët sapo kishin marrë pushtetin, Olta Xhaçka rrëfeu se miqësia mes çiftit u lidh “në ditët e vështira të grevës së urisë e protestave të shumta të opozitës në atë kohë, mes përpjekjesh pa fund për të vendosur drejtësi”.
Partia atëherë bëri një sy qorr e një vesh shurdh, sepse i duheshin sakrificat e të dyve, por pas ardhjes në pushtet gjërat nuk qenë më njësoj.
Largimi i njërit prej tyre u nxit përmes Kodit Etik brenda në PS në vitin 2016, që nuk i lejonte dy të martuar të ishin bashkë në Asamblenë Kombëtare.
Artan Gaçi sakrifikoi nga jeta partiake duke i hapur rrugë bashkëshortes, por martesa mes të dyve u rikthye prap si problem për partinë 5 vjet më pas. Artan Gaçit u shpall investitor strategjik për një hotel me 5 yje që ai do të ndërtojë në Himarë, por vendimi kaloi edhe nga qeveria ku bën pjesë bashkëshortja e tij, Olta Xhaçka.
Deputetët e opozitës kërkojnë t’i hiqet mandati Xhaçkës, sepse është njësoj sikur ajo të ketë marrë vendim që të përfitojë vetë nga shfrytëzimi i plazhit në Himarë.
Por sipas saj, e gjitha është një “furtunë në gotë”, sepse bashkëshorti i saj nuk ka përfituar asgjë më shumë se qindra biznesmenë të tjerë që kanë hotele në plazh, të drejtën për të vendosur zhezlona.
Por veprimet e të dyve ngrenë pikëpyetje se çifti ishte i vetëdijshëm për konfliktin e interesit, e megjithatë nuk u ndal.

E para, pse u përdor kunata e Olta Xhaçkës?
Brigjet e detit iu dhanë në përdorim për 30 vjet kompanisë “AGTTC Hotel Management” kompania në pronësi të shtetases amerikane, Taëni Lin Grzych-Sutton.
Kjo është partnerja e Andi Xhaçkës, vëllait të ministres. Çfarë e kompromenton pozicionin e ministres ështës deklarata e bashkëshortit të saj, Artan Gaçit, sipas të cilit kompania në fjalë u fut për të shmangur konfliktin e interesit, sepse në të vërtetë investitori strategjik ishte vetë ai.
“Unë jam investitor strategjik dhe po ndërtoj një hotel, nuk po ndërtoj vila siç bëjnë të tjerët,” tha Gaçi për BIRN dhe shtoi se sipas ligjit, “më takon zona e plazhit përballë hotelit për të vënë shezlongët”.

E dyta, pse Xhacka nuk mori pjesë në mbledhjen e qeverisë kur u mor vendimi?
Vetë Xhaçka betohet se nuk ka asnjë konflikt interesi në dhënien e statusit të investitorit strategjik, por ajo nuk mori pjesë në mbledhjen e qeverisë kur u mor vendimi për hotelin në pronësi të të shoqit.
Këtë e zbuloi Elisa Spiropali, kur debatoi me deputetin Agron Shehaj. “Sa i takon mbledhjes së këshillit të ministrave, znj Xhaçka ka njoftuar që të mos marrë pjesë në shqyrtimin e këtij vendimi për të mos ndikuar, edhe sikur të merrte pjesë. Një individ nuk ndikon dot një vendim kolegjial. Heqja dorë nga mbledhja garanton shmangien nga konflikti i interesit. Si Xhaçka edhe Gaçi janë persona publikë, nuk po e shpikni ju rrotën” u shpreh Spiropali në seancë.
Por a shmanget konflikti i interesit nëse ministrja nuk paraqitet në mbledhjen e qeverisë ku merret vendim që të përfitojë familja e saj? Thjesht fakti që nuk shkoi në mbledhje, nuk e përjashton ministren nga përgjegjësia.

E treta, pse i duhej statusi si investitor strategjik, kur nuk pati asnjë përfitim nga prona shtetërore?
Shpallja si investitor strategjik ka disa përfitime për biznesin. Xhaçka këto i mohon kategorikisht. Ajo shpjegon se statusi i investitorit strategjik i duhej për shfrytëzimin e plazhit përballë hotelit për klientët, një kontratë “njësoj si 1356 subjekte të tjera, që shërbejnë në industrinë e turizmit, me të njëjtat tarifa si të tjerët dhe këtë të drejtë do ta kishte edhe pa status të investitorit strategjik”.
Pyetja është, pse do t’i duhej angazhimi i qeverisë, përfshirja e familjarëve, rreziku për t’u gjetur në konflikt interesi, nëse Gaçi do të përfitonte diçka që e përfitojnë edhe qindra hotele të tjera në bregdet?

E katërta, pse i duhet Ramës ta ndryshojë ligjin kur nuk ka konflikt interesi në rastin Xhaçka-Gaçi?
Kryeministri Rama nuk pranoi asnjë nga akuzat për Olta Xhaçkën sot, por shefi i qeverisë tha se për të “do të vendosin institucionet”. Rama u tregua i rezervuar dhe për pak kaloi në një “mea culpa” për mbledhjen e qeverisë, ku i ka dhënë Artan Gaçit statusin e investitorit strategjik. Madje mazhoranca do të ndryshojë ligjin për investitorët strategjikë. për të shmangur hamendësimet në lidhje me konfliktin e interesit.
“Është një diskutim, i cili ka një vlerë, mendoj unë, për investimet strategjike, për të bërë një rishikim të gjithë kuadrit” ka thënë Rama.
Ndryshimet ligjore që paralajmëron kryeministri vijnë si reflektim. Por nëse ka reflektim, ka edhe gabime.

Opozita kërkon t’i hiqet mandati i deputetit Olta Xhaçkës, bazuar në nenin 35 të parandalimit të konfliktit të interesit. Në pikën dy thuhet: “Në rast se aksionet apo pjesët në kapital janë të regjistruara në emrin e personit të lidhur, ato vlerësohen njëlloj si të ishin të regjistruara në emër të vetë zyrtarit”.
Pra ligji konsideron se favoret e investitorit strategjik i përfitoi direkt Olta Xhaçka.
Në mbledhjen e Këshillit të Mandateve u tha edhe se biznesi i familjes Gaçi-Xhaçka kishte përfituar nga TVSH e ulët vetëm 5% në biznesin e hotelit me 5 yje në Himarë.
Pas këtyre, ra në sy reagimi i drejtpërdrejtë i deputetit të Lushnjës, Saimir Korreshi që kërkoi që gruaja e tij të shpallej investitore strategjike: “Nëse, është normale që bashkëshorti i një deputete të marrë tokë publike të vendosë shezlone, nuk përbën shkelje, na thoni ku merret leja se akoma nuk ka marrë rrogën nusja ime, po qe të bëjmë ndonjë investim strategjik, se merr 400 mijë lekë, mbaron shpejt ajo, të paktën të bëjmë nja dy shezlone të mbarojmë plazhin”./Lapsi
PS po mbron Xhaçkën nga kërkesa për ta dërguar në Gjykatën Kushtetuese
Këshilli i Mandateve nuk arriti të merrte një vendim për të dërguar në Gjykatë Kushtetuese papajtueshmërinë e mandatit për deputeten Olta Xhaçka, ndërsa kryeministri Edi Rama mbrojti vendimin e qeverisë për t’i dhënë statusin investitor strategjik dhe bregdetin në Dhërmi bashkëshortit të saj.
Këshilli i Mandateve dhe Rregullores shtyu për të dytën herë të premten vendimin mbi kërkesën e opozitës për papajtueshmërinë e mandatit të deputetes Olta Xhaçka, njëkohësisht ministre e Punëve të Jashtme.
Kërkesa e deputetëve demokratë bazohet në vendimin e Komitetit të Investimeve Strategjike, që i dha statusin e investitorit strategjik, bashkëshortit të saj, ish-deputetit Artan Gaçi dhe në një vendim të qeverisë për t’i dhënë në përdorim brigjet e detit para hotelit në Dhërmi në përdorim për 30 vite.
Sipas opozitës, ky është dhunim i hapur i nenit 70, pika 3 e Kushtetutës, ku thuhet se “deputetët nuk mund të kryejnë asnjë veprimtari fitimprurëse që buron nga pasuria e shtetit ose e pushtetit vendor dhe as të fitojnë pasuri të këtyre.”
Edhe pse pranuan se Këshilli nuk kishte kompetenca të interpretonte papajtueshmërinë, si e drejtë eksluzive e Gjykatës Kushtetuese, deputetët debatuan gjatë mbi përmbajtjen e kërkesës.
Deputeti demokrat, Gazmend Bardhi solli si prova legjislacionin përkatës për konfliktin e interesit, interpretimin përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese për raste të ngjashme dhe vendimmarrjen e KIS dhe qeverisë. Sipas tij, “vendimi i qeverisë për dhënien e bregdetit në përdorim ka detyruar bashkinë Himarë të lidhë kontratë me vetë ministren, pasi ajo si bashkëshorte është 50% aksionere në kompaninë e bashkëshortit të saj”.
Por anëtarët socialistë në këshill e cilësuan kërkesën të pabazuar në Kushtetutë dhe se nuk përmbante elementet formalë për ta dërguar në Kushtetuese, duke paralajmëruar një rrëzim të mundshëm të saj me forcat e kartonëve.
Taulant Balla i kërkoi Bardhit që t’i vërtetonte përfitimin e Xhaçkës nga paratë publike. “Ma provoni me fakte që të ketë marrë qoftë dhe 1 qindarkë,” tha ai.
“Fitimet nuk lidhen vetëm me monedhat,” iu përgjigj Bardhi, duke shtuar se Kushtetuta e bën të qartë kur thotë “veprimtari fitimprurëse”. “A nuk janë brigjet e detit pasuri publike nga të cilat mund të përfitosh?” shtoi Bardhi.
Sipas Bardhit, Xhaçka nëpërmjet kompanisë së bashkëshortit ka marrë dhe përfitime të tjera nga statusi i investitorit strategjik, siç është reduktimi i TVSH nga 20 në 5 përqind.
Sipas Ballës, pretendimet e opozitës nuk bazohen në nenin 70 të Kushtetutës. “Fitimi nuk ka ndodhur. Sipas jush, do të ndodhë. Pra, nuk e provojmë që 1 qindarkë të ketë hyrë si përfitim,” tha ai.
Edhe Klotilda Bushka argumentoi në këtë linjë. “Nuk ka asnjë dokument që rezulton emri i zonjës Olta Xhaçka,” tha ajo, duke e quajtur të sforcuar dhe abuzive kërkesën e opozitës.
Në të njëjtën kohë me mbledhjen e Këshillit në Kuvend, kryeministri Edi Rama u shfaq në një konferencë për shtyp në kryeministri përkrah ministres Olta Xhaçka.
Rama i mbrojti vendimet e firmosura nga vetë ai në cilësinë e kryetarit të Komitetit të Investimeve Strategjike në favor të Artan Gaçit dhe e quajti të drejtë dhënien e statusit të investitorit strategjik dhe dhënien e brigjeve në përdorim. Rama e konsideroi kërkesën e opozitës një sulm personal.
“Në gjithë vijën bregdetare ka me mijëra e mijëra subjekte që marrin në shfrytëzim një pjesë plazh si rezultat i disponimit të një prone private, një nga këto mijëra është dhe subjekti në fjalë. Çfarë duhet të bëjë në këtë rast; të thuhej që meqë është bashkëshort i ministres nuk duhej të shfrytëzojë plazhin para pronës private?!” justifikoi kryeministri vendimin e qeverisë.
Sipas Ramës, të kërkoje konflik interesi në këtë vendim ishte si “të kërkosh ta zhveshësh nga e drejta e pronës private”.
Kryeministri tha se ky rast e kishte bërë megjithatë të mendonte për përmirësimin e ligjit për investimet strategjike. “Ose do bëjmë punët duke qenë të vetëdijshëm që nuk jemi perfektë, kemi edhe ne të metat tona, ose do merremi me këta,” tha ai duke iu referuar deputetëve të PD-së.
Vetë ministrja Xhaçka tha se kishte besim se institucionet do të merrnin vendimin e duhur për mandatin e saj dhe tha se nuk kishte përfituar asnjë cm2 tokë publike.
“Ngatërroni përdorimin për përfitim me servitudën e daljes në det për klientët e hotelit,” tha ajo.
Xhaçka pritet të sjellë argumentet mbrojtës në mbledhjen e ardhshme të Këshillit të Mandateve, e cila u shty me kërkesë të kolegëve të saj socialistë për t’i dhënë mundësinë që të ishte e pranishme.
Deputetët e opozitës e quajtën këtë një taktikë për të tërhequr zvarrë vendimmarrjen në këshill dhe e krahasuan me rastin e ish-ministrit Sajmir Tahiri, kur mazhoranca votoi kundër kërkesës së Prokurorisë për heqjen e imunitetit të deputetit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



