I ati lëshon thirrjen e fortë drejt Altin Ndocit: Dorëzohu, babi të do shumë!
Nikollë Ndoci, babai i Altin Ndocit, i arratisur nga paraburgimi i Durrësit dhe i akuzuar për katër vrasje, foli për herë të parë pas ngjarjes që ka tronditur opinionin publik.
Ai deklaroi se nuk kishte asnjë dijeni paraprake për vendimin e të birit për t’u arratisur, por ngriti dyshime se ky veprim mund të lidhet me mungesën e besimit ndaj drejtësisë, pasi sipas tij, Altin Ndoci ndodhet prej gjashtë vitesh në paraburgim pa prova konkrete. Ndoci theksoi se familja është e tronditur dhe se situata e krijuar ka rënduar edhe më tej një gjendje që prej vitesh është e vështirë.
Babai i të arratisurit bëri thirrje publike që i biri të dorëzohet, duke shprehur shqetësim për gjendjen e tij shëndetësore dhe për faktin se nuk ka asnjë informacion mbi vendndodhjen e tij. Ai pranoi se Altin Ndoci ka pasur probleme shëndetësore, veçanërisht me veshkat, për të cilat shpeshherë i ka dërguar edhe ilaçe gjatë qëndrimit në paraburgim.
Sipas Nikollë Ndocit, gjatë gjithë kohës që ka vizituar të birin në paraburgim, sjellja e policisë ka qenë korrekte dhe ai nuk ka pasur ankesa ndaj autoriteteve. Ai po ashtu mohoi që djali t’i ketë shprehur ndonjëherë më parë synimin për t’u arratisur, por përsëriti bindjen se zgjatja e hetimeve dhe paraburgimi shumëvjeçar kanë ndikuar rëndë në gjendjen psikologjike të tij.
Në fund, Nikollë Ndoci nga emisioni “Top Story” iu drejtua drejtpërdrejt të birit me një mesazh emocional:
“Jam shumë i shqetësuar për djalin. Nëse më dëgjon tani, do t’i thoja që babi të do shumë. Jemi të tronditur, të rraskapitur dhe të lodhur pas 6 vitesh pa asnjë përgjigje. Kurrë nuk do t’i them të mos dorëzohet. Edhe pse nuk i besoj drejtësisë, më mirë të dorëzohet që ta dimë ku është, sesa të jetojmë çdo moment me frikë e ankth. Kohët e fundit kishte probleme me veshkat, infeksione të brendshme, shpesh i kam dërguar edhe ilaçe.”
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



