I vuri flakën krevatit, Alma Bine thyen ‘arrestin shtëpiak
Ish-zyrtarja e Ministrisë së Brendshme shkon t’i djegë makinën ish-partnerit
Ish-zyrtarja e Ministrisë së Brendshme, Alma Bine, është vënë sërish në qendër të vëmendjes, pasi ka thyer masën e sigurisë “arrest shtëpie” dhe ka tentuar t’i vërë flakën automjetit të ish-partnerit të saj.
Sipas burimeve zyrtare nga Policia, 43-vjeçarja është arrestuar dhe është dërguar pas hekurave, pasi dyshohet se ka shkelur vendimin e gjykatës, duke dalë nga banesa ku duhej të qëndronte në arrest shtëpie dhe duke ndërmarrë një akt tjetër të dhunshëm ndaj ish-bashkëjetuesit.
“U arrestua shtetasja A. B., 43 vjeçe, pasi dyshohet se ka thyer masën e sigurisë ‘arrest në shtëpi’ si dhe ka tentuar t’i djegë automjetin ish-bashkëjetuesit”, njofton Policia.
Ngjarja e fundit vjen vetëm pak ditë pas një tjetër episodi të rëndë, për të cilin Alma Bine ishte denoncuar nga i njëjti person. Një javë më parë, ish-partneri i saj kishte kallëzuar se ajo kishte hyrë në banesën e tij dhe i kishte vënë flakën krevatit, duke shkaktuar dëme materiale dhe frikë për përshkallëzim të konfliktit.
Çfarë ndodhi më herët?
Pak ditë më parë, Policia e Tiranës kishte ndaluar ish-drejtoreshën në Ministrinë e Brendshme, Alma Bine, e dyshuar për kanosje përmes mesazheve dhe për djegien e orendive shtëpiake në banesën e ish-bashkëjetuesit të saj, Mareglen Tomori. Banesa ndodhet në rrugën “Hysen Xhura”, në zonën e Kinostudios.
Sipas kallëzimit, Tomori është pronar i një vile trekatëshe në këtë zonë dhe prej kohësh kishte punësuar një shtetas të huaj, me leje qëndrimi të rregullt në Shqipëri, i cili jetonte në katin e parë të vilës dhe kujdesej për kopshtin.
Konflikti mes ish-partnerëve kishte nisur kohë më parë, ndërsa situata u përshkallëzua kur Alma Bine dyshohet se i ka vënë flakën krevatit në vilë. Më pas, ajo është përfshirë edhe në një përplasje me punëtorin e huaj, të cilin e ka akuzuar për bashkëpunim me ish-bashkëjetuesin dhe e ka kërcënuar se do t’i hiqte lejen e qëndrimit.
Denoncimi është depozituar nga Mareglen Tomori, i cili ka paraqitur si prova mesazhet kërcënuese, si dhe dëshminë e punëtorit të huaj, për të mbështetur akuzat ndaj ish-zyrtares.
Hetimet vijojnë për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjeve dhe për të përcaktuar përgjegjësitë penale të 43-vjeçares.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



