Ilir Vrenozi refuzon të marrë pjesë në protestën e PD-së
“Nuk dua të bëj serenata për Ramën”
Demokrati i njohur korçar, Ilir Vrenozi, i përkushtuar dhe i sakrifikuar gjatë këtyre katër viteve të rikthimit të Sali Berishës, ka vendosur që për herë të parë të mos iu përgjigjet thirrjes së kryedemokratit për protestën e ditës së hënë, 17 nëntor 2025.
Në një postim në faqen e tij në Facebook, Vrenozi shpjegon arsyet e bojkotit të tij, duke e quajtur mënyrën e organizimit të protestave të Berishës si “serenata poshtë penxheres së Ramës”. Ai kritikon mungesën e analizës për humbjet e përsëritura të PD-së dhe, më tej, mosgatishmërinë e deputetëve për të sakrifikuar rehati personale në funksion të kauzës.
Vrenozi thekson se qëllimi i tij dhe i demokratëve të ndershëm është rrëzimi i Ramës, jo pjesëmarrja në protesta simbolike që sipas tij nuk sjellin rezultat.
Në postimin e tij, Vrenozi shprehet:
“Sinqerisht, është hera e parë në gjithë këto vite që ndihem ashtu si po e them shqip… si k*r. Pse si k*r? Sepse kur shkon në një protestë, dikush të shtyn. Nesër nuk më shtyn asgjë. Unë jam nga ata që duan të rrëzojnë Ramen, jo të bëjnë serenata me fyshekzjarre. Boll u lodha.
Me vjen keq për situatën, por pa bërë analizë të humbjeve, pa vendosur pikat mbi ‘i’, vazhdohet me të njëjtin ekip, edhe pse humbjet janë të përsëritura. Rames vetëm nder i bëhet kështu. Ne, si opozitë, nuk ngjallim shpresë, ndërkohë që populli sheh 1000 skandale të Ramës dhe sërish nuk reagon.
Bëni analizën e humbjeve, humbësit të mbajnë përgjegjësi, hapni partinë për gjak të ri… Pastaj bëni greve urie në Parlament, kërkoni zgjedhje të parakohshme dhe qeveri teknike pa Ramen. Nuk ka asnjë kuptim të hyjmë në Parlament, të marrim rrogat dhe privilegjet e deputetit dhe të bëjmë protesta simbolike. Boll më këto ‘serenata’. Më dhemb shpirti, por nuk do të jem nesër në protestë.”
Vendimi i Vrenozit ka ngjallur reagime të shumta në radhët e demokratëve dhe mediat, duke nxjerrë në pah përplasjet brenda PD-së mbi strategjinë për të sfiduar qeverinë Rama.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco


