“Illyrian Guard” do të prishë konkurrencën? Përgjigjet Zv/ministri: Jo domosdoshmërisht dikush do…
Zv/ministri i brendshëm Julian Hodaj, ka folur rreth vendimit të Qeverisë për krijimin e shoqërisë tregtare shtetërore me emrin “Illyrian Guard”, e cila do të ofrojë shërbime me pagesë ndaj personave fizikë e juridikë publikë dhe privatë.
I ftuar në emisionin “Kjo Javë” në News24, Hodaj u shpreh se për krijimin e kësaj shoqërie punohet prej më se një viti, ndërsa shtoi se edhe në vendet fqinje, Itali, por edhe në Europë, ka agjenci shtetërore që kryen këtë lloj aktiviteti.
“Një nga objektivat kryesore të ministrisë së brendshme është edhe modernizimi i institucioneve të saj të varësisë. Ajo që ndodh në Shqipëri, sidomos kur vjen puna te teknologjia është të mbështetemi shumë te partnerët, sepse kapacitetet tona janë disi të kufizuar. Në vendet fqinje, Itali, por edhe në Europë, ka agjenci shtetërore, po kompani tregtari në pronësi të shtetit që kryen këtë lloj aktiviteti”, u shpreh Hodaj.
I pyetur nëse nëse krijimi i kësaj shoqërie tregtare do të prishë konkurrencën në treg, zv/ministri Hodaj u shpreh se jo domosdoshmërisht dikush do i drejtohet patjetër kompanisë shtetërore.
“Jo domosdoshmërisht, dikush do t’i drejtohet patjetër kompanisë shtetërore. Kjo vërtetë është kompani në pronësi të shtetit por është një subjekt privat në shtet, operon si gjithë të tjerët. Nuk janë pak rastet kur subjekte private që janë në pronësi të shtetit operojnë edhe në treg të lirë, boll që të jenë konkurruese. Në mos gaboj janë 231, janë shumë dhe të mendosh që nuk kanë as standardin minimal, besoj se do t’i selektojë tregu. Por ne mendojmë që futja e një aktori të fortë e të rëndësishëm do e rregullojë tregun. Kompanitë e tjera do arrijnë këtë standard”, tha Hodaj.
Qeveria mori me datë 4 prill, vendimin për të krijuar Shoqërinë “Illyrian Guard”, e cila do të jetë me kapital 100% shtetëror. Kjo shoqëri sipas vendimit të qeverisë do të regjistrohet në QKR dhe do të ofrojë shërbime të ruajtjes fizike dhe juridike, publik dhe privat. Kapitali fillestar për krijimin e shoqërisë “Illyrian Guard”, sh.a., të jetë 10 000 000 (dhjetë milionë) lekë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



