E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Inspektorati pyjor, atje ku marrëzitë po kalojnë limitet
Publik News

Inspektorati pyjor, atje ku marrëzitë po kalojnë limitet

Në kuadër të informimeve online që bën qeveria aktuale mes rreshtave flitet edhe për testimin e inspektorateve të të gjitha veprimtarive  ekonomike të vendit. Madje në fund të vitit “vuloset” se kush rri e kush ikën nga këto struktura.

Pak rëndësi ka kjo për publikun e gjerë, pasi dihet se veprimtaritë që ndërmerren me aksion kombëtar këtu në Tiranë duke bërë shtet, “shtet i thënçin”, nuk kanë fund, aq sa marrëzitë po kalojnë çdo limit.

Ndarja e funksioneve menaxheriale (administruese) nga ato kontrolluese (me anë të inspektorateve) është gjëja më e rëndësishme në zhvillimin kapitalist të ekonomisë. Praktika e  vendeve perëndimore tregon se nuk mjaftojnë vetëm teoritë por kërrkohet edhe zbatimi rigoroz në terren i tyre.

Prandaj shoqëritë zhvillohen dhe ecin përpara. Kjo bën të mundur kontrollin e veprimtarive jo vetëm të paligjshme por dhe ato që zbatohen në emër të ligjit nga ana menaxhuese.

Sektori i pyjeve, i cili aktualisht funksionon i copëtuar në disa sektorë administrimi (menaxherial)  ka nevojë më tepër se kurrë për ngritjen e një strukture kontrolli funksionale  me anë të inspektoratit të pyjeve, e cila funksionon në letra duke filluar nga viti 2012 e në vazhdim. Por sa i rëndësishëm është ai për mbrojtjen e fondit pyjor e kullotor kombëtar, sidomos në këto momente që jemi në zgrip dhe është prishur ekuilibri natyror, do të duket në të ardhmen.

Shpresojmë në një kthese pozitive dhe përparësi në këtë drejtim.

Gjithsesi duke iu kthyer manisë “së testimeve” është konstatuar se në praktiken e testit (provimit) nuk janë përfshirë legjislacioni i plotë pyjor, zbatueshmëria e të cilit është e detyrueshme dhe është baza e kontrollit të njohurive të inspektorit.

E dyta ka të bëjë me një specifikim, profesionalizmin e trupës kontrolluese të pyjeve, e cila detyrimisht kërkon inxhinier pyjesh.

E treta, ndarja në mënyrë të plotë me sektorët e tjerë të mjedisit pasi ka të bëjë me specifika të veçanta profesionale.

E katërta, duhet të jetë gjithëpërfshirëse në territor dhe jo vetëm në akset kombëtare, pra të kontrolloj çdo qelizë të ekonomisë pyjore (çdo ngastër). Për këtë duhet të ishte bërë një sensibilizim i opinionit mbi shtrirjen e këtij aktiviteti dhe objektivat që do të përmbushë dhe të mos kalohet në heshtje si shumë komponentë të tjerë, e për rrjedhojë pasojat kanë qenë të rënda. Mjafton të përmendim mënyrën e transferimit të fondit pyjor në vartësi të pushtetit lokal, e cila nga aset kombëtar u kthye me disa vendime të pastudiuara në varësi të ish – komunave ku shumica ka një disproporcion të thellë midis sipërfaqeve pyjore dhe banorëve përkatës.

Sipas statistikave shumica dërmuese e pyjeve gjenden në rrethe ku numri i banorëve është në limitet e ikjes nga këto zona. Të tilla gjenden kudo në veri dhe verilindje. Atëherë si administrohen dhe ruhen këto sipërfaqe pyjore ?

Këtu shteti gjendet para faktit të kryer, kemi njësi administrative me 100 – 500 banorë dhe sipërfaqja e fondit pyjor është mbi 10 000 ha për njësi administrative, e të tilla ka plot. Për këtë ngritja e strukturës së kontrollit të fondit pyjor kërkon një trupë mjaft të organizuar dhe mjete logjistike të nevojshme për ta mbuluar atë. Njëkohësisht veprimet duhet të kryhen në kohë reale që të kapen abuzuesit sidomos në periudhën e zjarreve, fushatat regresive të prerjeve masive në sezonin e vjeshtës së tretë etj., fenomene të integruara shoqërore.

Atëherë çfarë nevojitet?

Alternativat janë disa, por ne duhet të marrim ata që japin rezultatin e duhur, konkretisht do ishte e udhës  që inspektorati i kontrollit pyjor të vepronte:

  1. I shtrirë deri në cepin më të largët të territorit të vendit që të mbulojë gjithë hapësirat e këtij fondi, si atë lokal dhe Parqet Kombëtare, apo zona me status të veçantë.
  2. Të administrojë dhe rojtarin e pyllit duke patur një raport inspektor / sipërfaqe pyjore.
  3. Të kontrollohet në brendësi të pyjeve për mënyrën e damkimeve, asortimin, drurët e rrezikuar, monumentet e natyrës, rezervatet natyrore, shfrytëzimin e prodhimeve të dyta të pyllit, bimët medicinale, gjuetinë e paligjshme, sezonin e krasitjes, pastrimeve, qymyrin e drurit etj., etj..
  4. Të lihet gjurmë kontrolli me aparatura me qëllim që të eliminohet korrupsioni.
  5. Të ketë kontroll 24 orësh sidomos në akset e rëndësishme dhe jo në sistemin e orarit zyrtar pasi vetë natyra e objektit është e tillë.
  6. Të ketë të drejtën e kontrollit të organeve menaxheriale këtu futen drejtoritë apo agjencitë që administrojnë dhe menaxhojnë këtë sektor të rëndësishëm dhe konkretisht dokumentacionin shoqërues, projektet përkatëse, përputhshmërinë me legjislacionin, mënyrën e aplikimit, afatet kohore.
  7. Të ketë të drejtën e kontrollit të dhënies së fondit pyjor në përdorim, kushtet teknike, shkallën e zbatimit të projekteve dhe qëllimin e përdorimit.
  8. Të kontrollojë çekiç-damkën sipas agjencive menaxheriale dhe jo sipas rretheve siç e kemi sot.
  9. Mënyrën e derdhjes së tarifave, shenja treguese, lejet e transportit, markën përkatëse etj..
  10. Rrugët e reja pyjore, shkallën e dëmtimit, zhurmat etj..

Në konceptin e deritanishëm ministritë e shikojnë Inspektoratin Pyjor të futur në strukturat mjedisore kur në fakt rezulton se është tjetër gjë. Kjo jo vetëm për arsyet që trajtuam me sipër por edhe se nuk mund të kemi  një inspektim vetëm me “plan-pune” si dikur, por duhet operativitet non stop.

Të gjitha sa parashtrojmë janë disa nga detyrat imediate që duhet të mbulojë ky organizëm kontrolli dhe jo më pak apo më shumë se si ato realizohen në vendet e tjera të ngjashme me vendin tonë. Nëse vullneti qeveritar nuk do ishte partiak por profesional besojmë  se gjërat do lëvizin në drejtimin e duhur.

Nga viti 2012 e deri më sot kemi hasur me dhjetëra raste ku inspektorët e kësaj fushe nuk kanë ditur as llojin e drurëve të prerë jo më për veprime të mëtejshme, ata nuk kanë pasur as arsimin minimal e jo më atë profesional.

Megjithatë le të presim…..

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.