Ish-deputeti i PS kërkon dorëheqjen e Ramës: Çfarë pret më shumë?
Ish-deputeti i Partisë Socialiste për qarkun e Korçës, Ardit Konomi, ka kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, në një moment kur protestat në vend vijojnë të shoqërohen me tensione dhe përplasje.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Konomi ka kundërshtuar qëndrimin e kreut të qeverisë, duke argumentuar se përgjegjësia publike dhe politike kërkon një reagim të qartë përballë situatës së krijuar.
Sipas ish-deputetit socialist, Rama nuk duhet ta shtyjë më tej vendimin për t’u larguar nga detyra. Konomi shtron gjithashtu pikëpyetje mbi arsyet që, sipas tij, e bëjnë kryeministrin të mos ndërmarrë këtë hap dhe mbi qëndrimin e personave që e rrethojnë.
Në mesazhin e tij, ish-deputeti përdor tone të drejtpërdrejta, duke e cilësuar sjelljen e kryeministrit si një qëndrim të papranueshëm.
“Është një karshillëk i pashpjegueshëm dhe i papranueshëm”, shkruan Konomi, ndërsa thekson se dorëheqja nuk duhet të vonohet asnjë ditë më shumë.
Në fund të reagimit, ai zgjedh një shprehje popullore për të nënvizuar bindjen e tij se situata nuk ka nevojë për shpjegime të mëtejshme: “Fshati që duket s’do kallauz”.
Reagimi i Konomit vjen në një periudhë kur protestat kundër qeverisë kanë shtuar presionin politik ndaj kryeministrit Rama, ndërsa kërkesat për largimin e tij vijojnë të jenë në qendër të tubimeve.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco




