Ish-ministri Beqja i lirë bën batuta të premteve me gazetarër, ndërsa vartësit e tij lihen në burg
Gjyqtari me rezerva për hetimin e SPAK
Gjykata e Lartë la në burg ish-Zv.ministrin e Shëndetësisë, Klodian Rrjepajn dhe biznesmenin Ilir Rrapaj, ndërkohë që konfirmoi masat më të lehta për Saimir Kadiun, Marsela Serjanaj, Arben Gjatën, Pertef Mersinin dhe Genc Burazeri, të dyshuar si të përfshirë në aferën e “Sterlizimit”.
Vendimi është marrë të enjten e kësaj jave në Dhomë Këshillimi nga trupa e përbërë nga gjyqtarët Ilir Panda, Albana Boksi dhe Medi Bici.
Ndërkohë, ish-Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja, i cili dyshohet se personazhi kyç në aferën 100 milionë euro, vijon të shkëmbejë batuta me gazetarët çdo të premte, kur i duhet të paraqitet në liri para oficerëve të Byrosë Kombëtare të Hetimit.
Biznesmeni Rrapaj dhe ish-zyrtarët e Shëndetësisë u arrestuan në gusht të vitit 2023, në vijim të një hetimi gati tre-vjeçar të Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion, SPAK.
Gjyqtari që firmosi vendimin për arrestet, Erion Bani, shprehu rezerva për prokurorët e SPAK-ut, të cilët e kishin shmangur nga hetimi ish-ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqja.
Në nëntor të vitit të kaluar, prokurorët e çështjes, Edvin Kondili dhe Ened Nakuçi iu drejtuan Gjykatës së Posaçme me kërkesën për masën e “detyrimit për paraqitje” ndaj Beqjas.
Edhe në këtë rast, gjyqtari Bani nuk ishte dakord me qëndrimin e prokurorëve. Ai vlerësoi se roli i Ilir Beqjas në aferën e Sterilizimit ishte shumë më i madh se sa ai që pretendonin prokurorët.
Por, duke qenë se ligji e ndalon gjyqtarin të japë një masë më të rëndë se sa ajo që kërkon prokurori, togat e zeza vendosën ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë “detyrim për paraqitje”.
Po ashtu, Ilir Beqja është pjesë e një tjetër hetimi, ku SPAK-u dyshon se është abuzuar financiarisht me fondet e Agjencisë së Koordinimit të Ndihmave të Huaja. Në kuadër të këtij hetimi, Byroja Kombëtare e Hetimit ka kryer kontroll të banesës së Beqjas, si edhe ka marrë disa pajisje elektronike në pronësi të tij. Për këtë hetim, SPAK-u nuk ka kërkuar asnjë masë sigurimi për ish-ministrin e Shëndetësisë.
Ilir Beqja është i dyshuar edhe për abuzimin me tre koncesione të tjera në Shëndetësi, me fond limit disa qindra milionë euro. Por, për këto raste, SPAK-u ende nuk ka dalë një konkluzion, megjithëse po heton prej gati 4 vitesh, ndërsa Ilir Beqja vijon të jetë në liri.


Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



