Ish-portieri i Superiores humb jetën tragjikisht në Shkodër
Ra në kontakt me energjinë elektrike
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur këtë të diel në Shkodër, ku një 38-vjeçar ka humbur jetën pasi ka rënë në kontakt me energjinë elektrike. Viktima është identifikuar si Arvjo Fishta, ish-portier në Kategorinë Superiore.
Sipas burimeve lokale, Fishta punonte në një kompani interneti dhe fatkeqësisht gjatë kryerjes së detyrës, teksa po punonte në një shtyllë elektrike, ka pësuar goditje fatale nga energjia elektrike, duke humbur jetën në vend.
Arvjo Fishta kishte qenë pjesë e futbollit shqiptar në moshë të re. Në moshën 17-vjeçare ai luajti në Superiore me ekipin e Laçit, në sezonin 2004–2005, kur skuadra po kalonte një periudhë të vështirë dhe kishte humbur disa prej titullarëve.
Pas rënies së Laçit nga kategoria, Fishta u transferua te Shkumbini i Peqinit, nën drejtimin e trajnerit të njohur Faruk Sejdini, ku shërbeu si portier i dytë. Në gjysmën e dytë të sezonit 2005–2006 ai kaloi te Turbina e Cërrikut, që asokohe luante në Kategorinë e Parë.
Karriera e tij sportive përfundoi në moshën vetëm 20-vjeçare, pas një dëmtimi të rëndë në ligamentet e gjurit, që e detyroi të tërhiqej nga futbolli.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



