Ish-truproja e Saimir Tahirit që u ekstradua nga Gjermania shkon në gjyq
Dosja në ngarkim të ish-truprojës së Saimir Tahirit ka kaluar për gjykim në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të organizuar.
Konkluzionet përfundimtare ndaj të pandehurit Hekuran Marku do të paraqiten më 12 shtator, ndërsa e vetmja kërkesën e avokatëve mbrojtës e marrë parasysh nga Gjykata është ajo e gjykimit të shkartuar, çka i ul automatikisht dënimin me 1/3-n. Avokatët kërkuar gjithashtu që dosja të kthehet për plotësim hetimesh, me pretendimin se nuk janë marrë disa qeliza telefonike.
DËSHMIA
Duke hedhur poshtë akuzat e Prokurorisë, Hekuran Marku, ka mohuar që të jetë përfshirë në trafikun e drogës. Ai mësohet të ketë deklaruar në seancë se nuk i është fshehur drejtësisë shqiptare dhe se në Gjermani ka familjen e tij.
“S’kam lidhje me akuzat. Nuk kam kryer asnjë veprim të tillë. Kam qenë në ruajtje fizike të ministrit Saimir Tahiri dhe regjistrat tregojnë lëvizjet e mia dhe që s’jam marrë me drogë. Kërkoj gjykim të shkurtuar, u ktheva nga Gjermania, ku jam i regjistruar me dokumente e punë të ligjshme, për këtë proces. Punoja si hidraulik atje dhe në Gjermani kam familjen. Nuk i jam fshehur drejtësisë shqiptare”, u shpreh Marku, para trupit gjykues.
AKUZAT
Hekuran Marku, u ekstradua nga Gjermania më 1 prill të këtij viti, shtatë muaj pas arrestimit atje për llogari të drejtësisë shqiptare. Ndërsa Marku u arrestua në Gjermani, ish-badigardi tjetër i Tahirit, Agustin Deda u arrestua në Francë.
Gjykata e Posaçme e akuzonte 47- vjeçarin për disa akuza si ato për “Trafik narkotikësh”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale”, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”.
Marku ka qenë truprojë e ishministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, nga viti 2014 deri në vitin 2016, periudhë kur në vend lulëzoi masivisht kultivimi i lëndëve narkotike. Marku akuzohet se në bashkëpunim me 4 italianë dhe një shqiptar të njohur si Eltjon Bregu ka trafikuar rreth 1 ton kanabis drejt Italisë bashkë me kolegun e tij Agustin Deda.
Droga iu është sekuestruar dy të arrestuarve në Bari, Fiqiret Seferi dhe Ferhat Ajdini. SPAK-u dyshon se Deda dhe Marku kultivuan drogë me Bregun dhe tentuan ta trafikonin për t’ua dorëzuar katër italianëve.
“Më 17 dhjetor, Sheshi kishte marrë Ajdinin, duke e pyetur çfarë kishte bërë për drogën, sepse Silvio e Mimmo e Giuseppe nga Bari donin të kishin ndonjë lajm.
Droga ishte për këto tre barezët që kishin përgatitur mjetet e transportit, vendin, ku do ta mbanin në një kapanon. Ne do të arrinim në brigjet bareze e shkarkimin dhe transportin do ta bënin ata, bashkë me shitje më pas.
Ngarkesa ishte 1.000 kile e barezët do na e paguanin neve, marrëveshjet i kishte pasur Ajdini.
Kostoja ishte ndoshta 650 € për kg. Gjatë marrëveshjeve unë nuk isha afër tyre, fliste vetëm Ajdini e unë isha larg.
Pingio e Agustin e Hekuran na tha që unë dhe Ajdini do të fitonim 100.000 euro për kokë, për transportin e kësaj droge. Po u arrestuam”, thuhet në dëshminë e Seferit në dosjen e SPAK-ut. Dy ish-badigardët ishin në listën e 38 personave të vënë nën akuzë në kuadër të operacionit të koduar “Shpirti”.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



