Ish-zv.ministrja shpërthen ndaj Kryeministrit: O Rame ku i ke institucionet?
Ish-zv.ministrja e Mjedisit, Ornela Çuçi, ka reaguar lidhur me protestat e fundit të zhvilluara në Tiranë, duke ngritur kritika të forta ndaj kryeministrit Edi Rama dhe mënyrës së funksionimit të institucioneve shtetërore.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Çuçi shtron pyetjen “Ku janë institucionet?”, ndërsa argumenton se në debatet dhe krizat më të rëndësishme që kanë shoqëruar vendin, në qendër të komunikimit publik shfaqet vetëm figura e kryeministrit, ndërkohë që ministrat dhe drejtuesit e institucioneve mungojnë plotësisht nga diskutimi.
Sipas saj, protesta nuk duhet parë vetëm si një përplasje politike, por si një çështje që prek një sërë sektorësh të rëndësishëm, duke nisur nga mjedisi, ekonomia dhe pronat, deri te planifikimi i territorit, sistemi i drejtësisë dhe funksionimi i kadastrës.
Në reagimin e saj, ish-zv.ministrja kërkon që përgjegjësit institucionalë të dalin publikisht dhe të japin shpjegime për vendimet e marra ndër vite.
Ajo pyet se ku është ministri i Mjedisit për të argumentuar pse ndërhyrjet në zonat e mbrojtura konsiderohen në interes publik, si dhe ku janë ish-drejtuesit që kanë hartuar apo mbështetur ndryshimet ligjore për këto zona.
Një tjetër pikë që ngre Çuçi lidhet me modelin ekonomik të zhvillimit. Ajo kërkon që ministri i Ekonomisë të shpjegojë efektet konkrete të investimeve strategjike, numrin e vendeve të punës që krijohen, përfitimet ekonomike dhe mënyrën se si është balancuar interesi privat me atë publik.
Po ashtu, ajo ndalet te problematikat e pronësisë dhe funksionimit të kadastrës, duke kërkuar llogari për mungesën e sigurisë juridike mbi pronën dhe konfliktet e shumta që, sipas saj, kanë lindur nga paqartësitë në këtë sektor.
Në analizën e saj, Çuçi argumenton se problemi kryesor nuk është qëndrimi pro apo kundër protestuesve, por fakti që institucionet nuk po marrin përgjegjësitë e tyre publike.
“Problemi është se në Shqipëri, në këtë krizë, janë zhdukur plotësisht institucionet dhe shfaqet vetëm kryeministri”, shkruan ajo.
Më tej, ish-zv.ministrja e lidh këtë fenomen me atë që e cilëson si “monizëm të pushtetit”, duke argumentuar se ministrat nuk veprojnë më si hartues dhe mbrojtës të politikave publike, por si zbatues të vendimeve të marra nga lart.
Sipas Çuçit, Shqipëria funksionon teorikisht si një republikë parlamentare me ndarje pushtetesh, por në praktikë çdo debat publik përfundon te kryeministri.
“AI mbron ligjin për zonat e mbrojtura. AI mbron investimet strategjike. AI drejton kadastrën. AI policinë. AI çdo vendim”, shprehet ajo.
Në fund të reagimit të saj, Çuçi ngre një pyetje që, sipas saj, është legjitime jo vetëm për qytetarët, por edhe për socialistët që kanë votuar Partinë Socialiste.
“Ku janë njerëzit të cilëve u është deleguar firma dhe kompetenca drejtuese?”, pyet ajo, duke shtuar se delegimi i firmës nuk do të thotë automatikisht delegim i përgjegjësisë për vendimmarrjen.

Reagimi i plotë:
O Rame, ku i ke institucionet?
Po ndjek reagimet e kryeministrit për protestën dhe kam një pyetje të thjeshtë për këtë qeveri
O qeveria ime, ku je???? Se je qeveri me 84 vota për çdo vendim… Ku dreqin je????
Kjo protestë, zotërinj ministra, drejtorë agjensish, kryeinspektorë, nuk është më një çështje ku problemi është vetëm politik. Kjo është një çështje që prek mjedisin, ekonominë, pronën, planifikimin e territorit, funksionimin e gjykatave, kadastrën madje edhe vetë modelin e zhvillimit që ka ndjekur Shqipëria me në krye këtë kryeministër në këto vite. Prandaj pyetja ime është ku është ministri i Mjedisit të shpjegojë pse është në interes publik ndërhyrja në një zonë të mbrojtur? Ku është ish-ministrja e Mjedisit që ndryshoi ligjin për zonat e mbrojtura për të mbrojtur publikisht atë vendim dhe për të argumentuar pse ai ishte i drejtë? Ku e ka drejtoreshën që e kopsiti këtë ligj sipas kërkesës/interesit politik?
Ku është ministri i Ekonomisë të na shpjegojë logjikën ekonomike të këtij modeli zhvillimi? Sa vende pune krijohen? Sa të ardhura prodhohen? Pse ky projekt konsiderohet më i vlefshëm se ruajtja e zonës natyrore? Si funksionon në praktikë ligji i investimeve strategjike? Si janë trajtuar pronat? Si është balancuar interesi privat me interesin publik?
Ku është ministri i Drejtësisë të na flasë për kadastrën? Për një institucion që prej vitesh nuk arrin t’u japë qytetarëve hic asnjë siguri juridike mbi pronën e tyre. Për një drejtori me nammmm në Vlorë që ka parë më shumë drejtues sesa hyrje dalje njerëzish në 3 vjet. Për konfliktet e pafundme që kanë lindur pikërisht nga mungesa e qartësisë mbi pronën. Ku janë drejtuesit e institucioneve që kanë firmosur, miratuar, licencuar, kontrolluar dhe mbikëqyrur këto procese?
Sepse problemi nuk është më nëse je dakord apo kundër protestuesve. Problemi është se në Shqipëri, në këtë krizë, janë zhdukur plotësisht institucionet dhe shfaqet vec Kryeministri. E ky, nuk është thjesht një stil komunikimi. Kemi të bëjmë me një filozofi të tërë qeverisjeje.
Në filozofinë politike kjo quhet MONIZËM. Monizmi i pushtetit, edhe në këtë rastin tonë, nuk matet nga numri i kompetencave që grumbullon një lider, sado arrogant të jetë ai, por nga numri i zërave që heshtin rreth tij. Ai fillon kur ministrat pushojnë së qeni autorë të politikave dhe kthehen në sekretarë apo thjesht shkopinj në kokën e specialitëve të ministrive për t’I shkruar ato. Kur institucionet nuk prodhojnë më argumente, por dridhen nga mesazhet forëard të ardhura nga lart. Kur përgjegjësia publike nuk shpërndahet më në sistem, por përqendrohet vetëm tek ai që e konsideron veten Zot, e në këtë rastin tonë, me dishepuj të humbur rrugës.
Në teori jetojmë në një republikë parlamentare me ndarje pushtetesh dhe përgjegjësish. Në praktikë, çdo debat publik përfundon tek Ai. Ai mbron ligjin për zonat e mbrojtura. Ai mbron investimet strategjike. Ai drejton kadastrën. Ai policinë. Ai çdo vendim.
Nëse ministri i Mjedisit nuk mund të mbrojë politikën mjedisore, nëse ministri i Ekonomisë nuk mund të mbrojë politikën ekonomike dhe nëse ministri i Drejtësisë nuk mund të shpjegojë dështimet e sistemit të pronave, atëherë për çfarë shërbejnë? Nëse treshja jote më e fortë politike të ka braktisur rrugës, nëse një pjesë e figurave kryesore të qeverisjes së këtyre viteve ndodhen sot para drejtësisë, pjesa tjetër është në rradhë pritje, dhe një pjesë e hajrit është zëvendësuar me manekinë që rrallë dëgjohen e edhe më rrallë mbajnë përgjegjësi publike, atëherë pyetja bëhet edhe më legjitime. Ku janë njerëzit të cilëve u ke deleguar firmën? Ku janë njerëzit që duhet të mbajnë përgjegjësi për vendimet që kanë marrë?
Prandaj pyetja ime nuk është çfarë mendon ai për gocat me këmbët e bukura që iu shkon shumë minifundi në instagram.
Pyetja legjitime e çdo socialisti që ju votoi, sit është:
Ku janë njerëzit të cilëve ju keni deleguar firmën dhe kopencën drejtuese??
Se delegimi i firmës në këtë rast, nuk është aspak delegim përgjegjësie…
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



