Ishte në kërkim për mashtrim, 60-vjeçari shqiptar arrestohet në Greqi
Një shqiptar 60-vjeçar është arrestuar të premten pasdite në zonën e Thermit, në Selanik, nga efektivët e Departamentit të Menaxhimit të Emigracionit.
Sipas autoriteteve greke, ndaj tij ishin në fuqi dy sinjalizime të ndryshme për probleme me drejtësinë.
60-vjeçari rezultonte i kërkuar nga autoritetet gjyqësore të Selanikut për një çështje që lidhet me një shkelje të pronës. Krahas këtij urdhri arresti, ndaj tij ishte regjistruar edhe një “Njoftim i Kuq” nga Interpoli, në lidhje me një rast mashtrimi të kryer në Shqipëri në vitin 2014.
Sipas të dhënave të policisë greke, për çështjen e mashtrimit shqiptari ishte dënuar më herët me 3 vite burg.
Arrestimi u krye nga oficerët e policisë gjatë kontrolleve të kryera në zonën e Thermit, ndërsa pas ndalimit ai iu dorëzua autoriteteve kompetente për vijimin e procedurave ligjore.
“Njoftimi i Kuq” i Interpolit shërben si një kërkesë ndërkombëtare për lokalizimin dhe arrestimin e përkohshëm të një personi, në pritje të procedurave të mëtejshme ligjore. Ai nuk përbën në vetvete një urdhër-arresti ndërkombëtar dhe vendimi për arrestimin i takon autoriteteve të vendit ku personi lokalizohet.
Pas arrestimit në Greqi, 60-vjeçari është dërguar përpara autoriteteve gjyqësore kompetente, të cilat do të ndjekin procedurat e mëtejshme lidhur me çështjet për të cilat ai rezulton i kërkuar.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



