E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Ja  si u vodhën 5 milionë euro përmes “Call-Center”!
Lajme

Ja si u vodhën 5 milionë euro përmes “Call-Center”!

Eksperti: Janë me dhjetëra kompani që mashtrojnë italianët

“Call Center”-at mashtrues kanë vite që janë në tregun tonë. Mashtrojnë shtetas, kryesisht të huaj, duke i joshur me reklamimin e aksioneve të paqena.

1

Më pas, zhduken! Por, “gabimi” i tyre është se kanë prekur ku nuk duhet: në Gjermani! Ata kanë joshur me qindra klientë gjermanë për të investuar në bursa, duke iu premtuar siguri dhe më pas duke i mbajtur në kontakt të vazhdueshëm për t’i vënë në dijeni se sa ka avancuar investimi i tyre. Por, shtetasit që kanë rënë në rrjetën e operatorëve shqiptarë, kanë denoncuar në institucionin përgjegjës të tyre, duke vënë në lëvizje një prej skuadrave më eksperte të botës, për gjurmimin e krimeve kibernetike.

Prej kohësh, ata kanë qëndruar në kontakte të vazhdueshme me zërat që flisnin për bursa, “bitcoin”, diamante, derisa hetuesit kanë kërkuar ndërhyrjen e menjëhershme të autoriteteve tona. Ditën e djeshme, në një fshehtësi të plotë, SPAK-u ndërmerr një operacion të detajuar dhe ndërhyn në një nga pikat ku ishte marrë sinjali. Dhe bëhet fjalë pikërisht në zonën e Rrugës së Kavajës vend ku ndodheshin zyrat e kësaj kompanie mashtruese, sipas hetimit, në të cilën kanë vënë në pranga plot 15 persona, mes tyre pronarin, menaxherin dhe IT-në e kompanisë.

KUSH JANË TË ARRESTUARIT

Sipas të dhënave, 15 punonjës të një kompanie “Call Center” në Tiranë janë arrestuar për mashtrim të shtetasve të huaj. Mes të arrestuarve janë administratori i “Blue energy call”, programuesi i IT-së dhe të tjerët supervizorë të këtij “Call Center”-i. Arrestimet ndodhën gjatë operacionit të koduar “Skema”, ku janë shpallur në kërkim 21 të tjerë dhe 35 janë aktualisht në hetim. “Blue energy call” me seli te Rruga e Kavajës është përfshirë në mashtrimin e rreth 2 mijë gjermanëve, duke u marrë thuajse në total shumë prej 5 milionë euro.

SPAK-u ka kontrolluar 8 ambiente të kësaj kompanie, “Blu energy call” sh.p.k., ndërsa është faktuar se mashtrimi i shtetasve gjermanë ka nisur që në 2018 e në vijim, ndërsa vetë kompania ishte e regjistruar në vitin 2017. Sipas të dhënave, në pranga ka përfunduar Erion Kasmi, pronari i “Call Center”-it dhe programuesi i IT-së së kompanisë, Xhulian Xhafa dhe një punonjës-menaxher sallash, Anduel Gjergji. Policia ka bërë me dije se janë shpallur një mori personash në kërkim, plot 21, ndërkohë që janë mbi 70 të tjerë nën hetim.

PO ÇFARË NDODH VËRTET NË KËTO KOMPANI FANTAZMË?

“Panorama” kontaktoi një ekspert fushe, i cili njeh mirë mekanizmin që përdoret jo vetëm për të mashtruar shtetas të huaj, por madje edhe punonjësit që hyjnë nëpër këto kompani. Sipas tij, “krijohen platforma dhe të gjithë personat që janë të punësuar në sipërmarrje të tilla janë me emra të rremë. Po ashtu, ata rrinë në kontakt me viktimën për disa kohë, aq sa të konsiderohet mjaftueshëm për ta bindur dhe më pas zhduken. Kryesisht, ndërhyhet në listat telefonike nëpër zona të caktuara, të shteteve të huaja dhe operohet më së shumti me numra fiks, pra numra shtëpie, çka rrit edhe probabilitetin e gjetjes më shumë personash që binden, pasi zakonisht janë persona në moshë të tretë, pra pensionistë”.

Eksperti tregon se janë me dhjetëra kompani të tjera, që zakonisht i zgjedhin viktimat e tyre nga Italia: “Ata kanë gabuar me gjermanët, pasi dihej se do të vinte momenti të reagonin, pasi ata e ndjekin deri në fund një denoncim e aq më tepër kur bëhet fjalë për mashtrime që iu shkojnë me linja të tilla. Por, janë shumë herë më tepër kompani që përdorin të njëjtin mekanizëm zhvatjeje, që gjejnë hapësirë në brenda territoreve të Italisë. Pasi italianët janë pak a shumë si ne: ata rrallë ndërmarrin gjurmime të një denoncimi, aq më tepër kur një qytetar i beson një të panjohur nga ana e telefonit”.

ARRESTIMI I PUNONJËSVE

Në fakt prej shumë vitesh, kompanitë “Call Center” kanë funksionuar sipas rregullave të të zotëve të tyre. Kështu, jo pak herë, të rinjtë shqiptarë, të cilët janë të punësuar masivisht, thuajse përbëjnë përqindjen më të madhe të tregut të punës për këto kompani, janë përballur me situata të ndryshme, të cilat institucionet tona ligjzbatuese as nuk e kanë marrë ndonjëherë guximin të ndërhyjnë. Por në rastet e fundit, kur Policia ka mundur të ndërhy në disa objekte që shërbenin si “Call Center” janë vënë në pranga edhe punonjës të thjeshtë.

Sipas të dhënave kofidenciale, që vijnë nga krimi Ekonomik, mësohet se pronarët delegojnë porosi te menaxherët e kompanisë, duke iu kërkuar që disa nga të punësuarit të jenë me NIPT-in e tyre. Në momentin kur ndërhyhet nga ana e Policisë prangosen pikërisht këta persona, të cilët për shkak të idesë se mund të përfitojnë një pagë pak më të mirë se sa mund ta përfitojnë operatorët që nuk “rrezikojnë” bëhen pjesë e aktivitetit të paligjshëm dhe vihen në pranga. Policia dhe as Prokuroria ende nuk kanë folur në lidhje me këtë implikim me detyrim të operatorëve, të cilët paraqiten për një punë, pasi prej vitesh ata nuk bëjnë punë tjetër dhe nuk i qasen tregut për efektin se nuk marrin dot pagën që ata mendojnë që marrin aty.

“Call Center”-i i mashtronte gjermanët me anë të dy platformave

Arrestimi i tyre nga SPAK-u dhe Policia e Tiranës është bërë pas kërkesës së autoriteteve gjermane. Të arrestuarit akuzohen se përmes platformave “BrokerZ” dhe “Globalix”, mashtruan rreth 2 mijë gjermanë duke u vjedhur 5 milionë euro. Vetë punonjësit përdornin pseudonime dhe merrnin klientët, të cilët i tundonin fillimisht përmes investimit në shuma të vogla me premtimin se do të fitonin shumë më shumë. Kryesisht, pre e këtyre mashtrimeve binte mosha e tretë. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan: 200 pajisje kompjuterike, 120 pajisje të telefonisë “Voip”, 1 laptop, 70 telefona të lëvizshëm, USB, karta të ndryshme, dokumentacione etj.

Në kryerjen e operacionit policor morën pjesë dhe organet ligjzbatuese gjermane, nën drejtimin e Prokurorit të ardhur nga Republika Federale Gjermane dhe një skuadre të strukturave të hetimit kibernetik. Edhe në Kosovë para një jave, u arrestuan 36 administratorë dhe punonjës të “Call Center”-ave në Kosovë për mashtrim përmes “Call Center”-it të shtetasve gjermanë. Një ndër të arrestuarit në Kosovë, ishte një person nga Kavaja dhe kjo bëri që hetimet të lidheshin edhe në Tiranë ku u zbulua lidhja e bashkëpunimit të tyre.

Përmes platformave “BrokerZ” dhe “Globalix”, të arrestuarit mashtroni shtetasit e huaj që të investonin në bursë apo në metalet me vlerë dhe diamantet. Me pas, paratë e vjedhura depozitoheshin në banka “off-shore”, dyshohet nga ana e ekspertëve. Të arrestuarit do të përballen me akuzat për kryerjen e veprave: “Mashtrimi kompjuterik”, kryer në bashkëpunim në kuadër të “Grupit të strukturuar kriminal”. Dy ditë më parë, edhe Policia e Tiranës nisi hetimin penal ndaj 9 administratorëve të “Call Center”-ave në Tiranë nën akuzën e mashtrimit të shtetasve të huaj, kryesisht nga vendet e BE-së, që të investonin në bursë.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.