E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Jasir Asani drejt Suedisë, ofertë nga AIK Stokholm. Zbulohen prapaskenat
Publik News

Jasir Asani drejt Suedisë, ofertë nga AIK Stokholm. Zbulohen prapaskenat

Merkatoja e dimrit zyrtarisht hapet në orët e para të Vitit të Ri, por klubet prej kohësh e kanë nisur punën për të plotësuar kërkesat e tyre në këtë periudhë. Edhe Partizani pritet të jetë pjesë e tregut të janarit, si në hyrje dhe në dalje. Të kuqtë janë vënë në kërkim të përforcimit të sulmit, pasi afrimet e verës nuk kanë dalë të goditura. 

Por, në të njëjtën kohë flitet edhe për transferime nga ky sektor. Jasir Asani është një nga futbollistët e Partizanit të lakuar në merkatot e fundit si kandidat i mundshëm për t’u shitur nga Partizani. Sirenat e largimit janë ndezur sërish për 24-vjeçarin nga Shkupi, i cili në këtë pjesë të parë të sezonit ka kaluar një periudhë acaruese me ish-trajnerin Franko Lerda.

Në të shkuarën janë përfolur disa pista largimi, por Suedia shikohet si destinacioni më i mundshëm për shitjen e sulmuesit. Burime pranë të kuqve kanë bërë me dije se për Asanin ka interesim konkret nga klube suedeze dhe AIK Stokholm është njëri nga ata që e kërkon me ngulm sulmuesin.

jasir asani

Palët i kanë nisur bisedimet për transferimin e 24-vjeçarit në Suedi dhe tani mbetet që kampionët e Shqipërisë të përmbushin kriterin financiar për largimin e Asanit. Sulmuesi u bë pjesë e Partizanit në shtatorin e 2017- ës, ku firmosi edhe një kontratë 4-vjeçare.

Kur kanë mbetur edhe 18 muaj nga skadimi i kontratës, Partizanit mund t’i mbushet mendja që ta shesë xhevahirin e skuadrës, në mënyrë që t’i bëjë parapritë përsëritjes së rastit “Mala”, që kur hyri në vitin e fundit të bashkëpunimit nuk pranoi rinovimin. Kur firmosi kontratën para 2 sezonesh, Asani ka pasur një klauzolë largimi në çdo kohë përkundrejt shifrës 400 mijë euro. Tani mbetet të mësohet se cila do të jetë shuma që pretendon Partizani, i cili nuk mendohet të heqë dorë nga shërbimet e Asanit pa 300 mijë euro.

Asani Partizani

Nëse realizohet ky transferim, që duket në rrugën e duhur, i bie që Jasir Asani të jetë shitja e parë te Partizani në drejtimin e drejtorit të përgjithshëm, Olsi Rama. 24-vjeçari nuk u preferua shumë nga trajneri Lerda në këtë sezon, ku në derbi e mbajti në stol, dhe mbase kjo situatë konfliktuale me ish-trajnerin e ka detyruar që të interesohet për një destinacion të ri.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.